Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim po përgatit në Londër me datë 26 shkurt një Samit të ri të Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor per vitin 2024, presidenti i BERZH-it Odile Renaud-Basso dhe liderët e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të prezantojnë vizionin e tyre për projektet rajonale dhe mundësitë e investimeve si në nivel rajonal ashtu edhe në secilin shtet.
Qëllimi i samitit është që të promovohen projekte rajonale dhe ato ndërkufitare. Ky është samiti i 6-të i BERZH-it kushtuar Ballkanit Perëndimor.
Samiti inaugurues u mbajt 10 vite më parë, në muajin shkurt të vitit 2014 ku u mblodhën për herë të parë të gjithë kryeministrat e rajonit. BERZH mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit. Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH ndaj deri tani në këtë rajon janë investuar mbi 18 miliardë euro./Klan News