Serbët nuk po duan të punojnë më në institucionet e Kosovës. Politikanë, gjyqtarë e policë dhanë dorëheqje nga detyrat e tyre.
Këtë skenar dhe krejt situatë në veri, Sami Lushtaku i PDK-së, po e sheh dramatike.
Fajin kryesor, sipas tij e ka Serbia.
“Situata është e atillë që asnjëherë nuk është më e komplikuar sesa tash. Fajtore gjithmonë është Serbia sepse edhe policia edhe qytetarët në veri ndikohen prej presidentit serb, Aleksander Vuçiq”, theksoi Lushtaku për “Front Online”.
Megjithatë një hise të fajësisë ky ia le edhe kryeministrit Kurti.
“Është mirë Kurti me mendu që Kosova nuk është as Francë, as Gjermania e as Angli. Ne jemi një fuqi, që e dimë çfare jemi. Problemi i Mitrovicës është mirë të zgjidhet politkisht. Jo me pasë këso situata çfare i kemi”, vlerësoi Lushtaku për “Front Online”.
Lushtaku pati këtë përgjigje kur u pyet nëse ka ndonjë thirrje për shefin kosovar të ekzekutivit lidhur me situatën në veri.
“Nuk i bëj thirrje Kurtit. Ai nuk dëgjon hiç. Ai vesht i ka, por jo për me dëgju. Mirë është më i dëgju miqtë tonë amerikanë. Nuk po thom as mu shty as mos mu shty vendimi për targat. Problemi i Mitrovicës mund të zgjidhet vetëm me miqtë tonë, Amerikën e BE”.
SHBA dhe BE kanë bërë thirrje që të krijohet Asociacioni.
Këtë kërkesë e artikuluan të dielën edhe qytetarët serbë, të cilët u mblodhën për të protestuar në Mitrovicën e Veriut.
Ish-ministra e drejtorë policorë në Kosovë kanë riktheksuar se situata në veri nuk është aspak e qetë./Front Online/