Paneli i Gjykatës së Apelit ia ka zbutur dënimin ish-Komandantit të UÇK’së, Salih Mustafës, duke ia zbritur në 15 vjet burgim nga 22 vjet sa i ishin shqiptuar.
Vendimi është marrë sot.
“Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”, thuhet në njoftim.
“Paneli i Apelit përbëhej nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Paneli nxori vendimin e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të z. Mustafa në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores. Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”, thuhet tutje në njoftim.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit 2022 Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Gjykata e Apelit ia kishte zbritur dënimin pastaj në 22 vjet burgim.
Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës
më 24 shtator 2020.