Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha e ka cilësuar si antishqiptare deklaratën e dhënë nga Edi Rama për “Financial Times” se Veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt.
Gjatë fjalës së tij në parlament Berisha, tha se askush nuk mundet askush ta zhvendosë vëmendjen nga kjo deklaratë që synon shkëputjen e Veriut nga Kosova.
Ish-kryeministri kërkoi nga Rama që të japë llogari. Ai shtoi se NATO e ka refuzuar këtë deklaratë të bërë nga Vuçiçi dhe argati i tij, duke iu referuar kryeministrit Rama.
“Këtu ka një përpjekje të turpshme, të pafytyrë për të mbuluar me zhurma, me mashtrime dhe gënjeshtra, deklaratën superskandaloze, deklaratën më armiqësore të bërë ndonjëherë jashtë Beogradit për Kosovën, se veriu i Kosovës është toka e askujt.
Ju nuk e mbuloni dot me asgjë, nuk e mbulon dot me asnjë lloj recitimi zonja Zilie Pali.
E ka dashtë vetë, nuk ia kam vënë unë. Unë po flas me terma frojdianë, se po t’ia them me ato terma që ia thotë Rama, ju pastaj bërtisni, thoni shih sa vulgar është ky. Po flas me terma medikalë.
Nuk e zhbëni dot ju këtu vetëm një javë pasi djemtë trima me uniformë, vendosën të përballen me një grup terroristësh dhe ta përzënë me turp nga ai territor, që i thotë Edi Rama dhe Vuçiç se është tokë e askujt.
Nuk e zhbëni dot, nuk e maskoni me asgjë, me asnjë skenar, me asnjë skllav, me asnjë peng, me asgjë tjetër, deklaratën që kërkon të shkëpusë veriun e Kosovës dhe ta kthejë në protektorat të NATO-s.
NATO ka përçmuar me refuzim të plotë një deklaratë të tillë të Vuçiçit dhe pengut të Vuçiçit, argatit të tij.
Nuk e zhbëni dot kërkesën e tij për të thirrur konferencë ndërkombëtare me Lavrovin”, tha Berisha.