Ish nënkryetarja e komunës së Prishtinës dhe ish ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Arsimit, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pas anulimit të tenderit për digjitalizim në arsim.
Ajo ka thënë se në një mënyrë apo tjetër, realiteti shpërfaqet.
Anulimi i këtij tenderi, Sahatçiu thotë se është lajm i mirë.
“Lajmi për anulimin e tenderit është i mirë sepse as nuk do të duhej të shpallej ashtu ndonjëherë. Ishte e dhimbshme të dije se një projekt i nisur asisoji do të dështonte herëdokur. Pak ka rëndësi se doli ashtu siç e kisha thënë. Edhe më pak ka rëndësi se si arsyetimi i ndërtuar për shkarkimin tim u shemb vetvetiu. Kemi ende shumë për të parë e folur, por çdo gjë në kohën e vet.”
Sahatçiu ka shkruar se tenderi të mos rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet.
“Tash e rëndësishme është vetëm e vetëm që ky tender mos të rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet. E për ta bërë qysh duhet, dua të besoj se ekziston vullneti për të shtyrë përpara një proces digjitalizimi gjithpërfshirës që veçse kishte nisur mirë e është qëndisur gjatë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është vazhdimësi e hipokrizisë.”
Sahatçiu është shkarkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili si arsye dha “ngecjen në fushën e digjitalizimit”.