Sadik Halitjaha vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë po dëshmon Sadik Halitjaha

Trupi gjykues ka nisur t’i shtrojë pyetje Salitjahës përmes gjyqtarit Christoph Barthe i cili u fokusua te deklaratat për Shërbimin Informativ të Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi, përcjell Klan Kosova.

Halitjaha ka thënë që nuk është i sigurt nëse ka pasur një shërbim apo një drejtor të tillë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 14 mars, 1999.

“Z.Veseli ka qenë i angazhuar për atë drejtori, por nuk ka pas staf, nuk ka pas kompletim të drejtorisë”, ka thënë Halitjaha.

“Adem Demaçi ka qenë përfaqësues politik dhe zyra e tij me stafin e tij ka qenë kompetent për politikat e luftës”, tha ai.

Kur u pyet nëse Demaçi ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, dëshmitari ka thënë që ai e ka drejtuar atë.

“Unë mendoj që ai e ka drejtu shtabin e përgjithshëm të UÇK-së, politik, kështu mendoj dhe kështu edhe atëherë kam mendu”.

Salitjaha ka folur edhe për komandant Drinin dhe personin me emrin Halil Çadraku, ku për Drinin ka thënë që gjatë vitit 1999 e ka kaluar kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë për mbi 30 herë.