Shkruan: Burim Ramadani
“Pensionimi” i KFOR do të ishte e arritur e Kosovës, jo rritja e numrit dhe rikthimi i zbatimit të fuqisë së tyre në terren.
Rritja, fuqizimi, demokratizimi dhe konsolidimi i institucioneve publike dhe të sigurisë së Kosovës do të duhej të rezultonte me zvogëlimin e trupave të KFOR dhe me reduktim vetanak të ushtrimit të kompetencave që ka KFOR në bazë të Rezolutës 1244 të KS OKB.
Këto kompetenca janë njohur mbi institucionet e shtetit të Kosovës edhe me Kushtetutën tonë, Nenin 153.
Kjo ka qenë proces i vazhdueshëm. Pra, institucionet e Kosovës janë konsoliduar e fuqizuar, ndërsa trupat e KFOR janë reduktuar. Ndërsa, EULEX-i edhe kishte ristrukturar veten duke mbetur në një numër simbolik të Mentorimit, Monitorimit dhe Këshillimit (MMA).
Por, po ndodh e kundërta tash.
Mos harroni:
Sa më shumë KFOR dhe EULEX, aq më pak sovranitet.
– Ne do të duhej që këtë kohë të ishim dëshmitarë të ristrukturimit të KFOR-it përbrenda.
– Ne do të duhej që në këtë kohë të marrim kompetenca nga KFOR për Policinë e Kosovës e pse jo edhe për FSK.
• Më kujtohet kur në vitin 2019 promovonim idenë që FSK të merr përsipër ruajtjen e FilmCity-it (Shtabit Qendror të KFOR) në Prishtinë.
• Më kujtohet kur në vitin 2019 promovonim idenë që FSK të merr përsipër ruajtjen e Manastirit të Deçanit, si fazë transitore për ta përcjellë më pas në kompetencë të Policisë së Kosovës.
Këto iniciativa normalisht se është dashur të marrim kohë, porse tash pesë vjet më pas gjendja është përkeqësuar në këtë dimension.
Saherë që gëzohemi që NATO ka sjellë më trupa në Kosovë (si nevojë për të zbrapsur kërcënimet e Serbisë apo grupeve paramilitare), duhet po ashtu t’ia kujtojmë vetes se kjo nënkupton më shumë kapacitet vendimmarrës dhe zbatues për KFOR.
Kështu, vendimmarrja dhe zbatimi nga ana KFOR mbetet jashtë institucioneve tona publike, pra si mandat që rrjedh nga Rezoluta 1244 e KS OKB.
Prandaj, është më pak sovranitet për shtetin e Kosovës dhe jo vetëm në veri, por në tërë territorin e Kosovës. Sepse, mandati i KFOR nuk është i ndarë në rajone të caktuara në Kosovë, por përfshin njëjtë tërë territorin.
Rrjedhimisht, rritja dhe rifuqizimi i KFOR është zvogëlim i sovranitetit të Kosovës në total.
E mos të flasim për EULEXin që është dashur të mos rifuqizohet kurrë. Madje, EULEX është dashur që të mbetet me vetëm 2-3 punonjës në total.
Pra, në vend se të arrinim së bashku me NATO që ta bëjmë Kosovën shtet ku KFOR nuk ka ‘PDSS’ (Property/Persons with Designation of Special Status), po duket që KFOR-i mund të shtojë në listën e PDSS edhe hapësira apo objekte tjera.
P.S
• PDSS do të thotë Prona/Persona me Përcaktim të Statusit Special.
Në këto raste, Rregullat e Angazhimit (Rules of Engagement) ushtarak janë të prera, të qarta, nuk kompromentohen dhe përfshijnë hapjen e zjarrit, përkatësisht përdorimin e të gjitha mjeteve ushtarake për të mbrojtur PDSS-in.
Kështu, sa për ilustrim është Manastiri i Deçanit.