Aleanca Veri-Atlantike (NATO) ka njoftuar se numri prezent i ushtarëve në Kosovë, sipas statistikave të gushtit, është 3,735.
Sipas një statistike të lëshuar në formë dokumenti, shteti me prezencën më të madhe ushtarake në kuadër të misionit paqëruajtës në Kosovë është SHBA, me 635 ushtarë, shkruan lajmi.net.
Pas SHBA-së radhitet Italia, me 638 trupa prezentë nëpër Kosovë.
https://permbledhja.com/escobar-ndjek-koncertin-e-pianistit-nga-rahoveci-zekir-popaj-ne-vjene/
Ndërkaq, sipas informacioneve zyrtare të NATO-s, Gjermania ka 70 ushtarë në mision për ruajtjen e paqjes dhe stabilitetit në Kosovë. Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar shtimin e numrit të trupave të NATO-s, nën vazhdën e pretendimeve për tensionim të situatës nga ana e Serbisë.
Kurti ka kërkuar prezencën e më shumë ushtarëve gjermanë, pa e arsyetuar një kërkesë të këtillë. Këtë deklaratë ai e ka dhënë në një intervistë për mediumin gjerman ‘Welt’.
“Do të na ndihmonte edhe nëse do të kishte më shumë ushtarë gjermanë. Përveç kësaj, trupat e KFOR-it mund të na ndihmojnë për të zgjeruar më tej strukturat dhe kapacitetet tona të sigurisë”, u shpreh ai.
Në këto statistika nuk figurojnë ushtarët e Ukrainës, të cilët u tërhoqën nga Kosova me urdhër të presidentit të tyre, Volodymyr Zelenskyy, përgjatë këtij muaji.
Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s në Kosovë, Ferenc Kajari, ka konfirmuar për shtimin e prezencës së kontigjentit amerikan të trupave të NATO-s në zonën veriore.