Zv.ministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi ka njoftuar se është ftuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për intervistë me datën 8 maj.
Ai ka treguar se ftesa ka të bëjë me nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë-Podujevë. Durmishi në njoftimin e publikuar në profilin e tij në ‘facebook’, ka thënë se kur e ka pranuar ftesën ka menduar se është për lëndën e dorëzuar në Prokurori para tre vitesh.
Sipas Durmishit, është e pakuptimtë ftesa për intervistim për një zv.ministër “bazuar në spekulimet” e një operatori ekonomik dhe pas vendimit të OSHP-së, që Durmishi thotë i jep të drejtë ministrisë.