Ministria e Infrastrukturës ka publikuar njoftimin paraprak për kontratë lidhur me ndërtimin e urës në Veternik mbi Rrugën A.
Sipas njoftimit, vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 8 milionë euro.
“Ndërtimi i urës (Mbi kalimi dhe Nën kalimi për vetura dhe automjete) në Veternik mbi Rrugën A”, është përshkrimi i kontratës.
Se kur do të fillojë procedura për këtë tender, ende nuk dihet meqë në njoftim nuk është saktësuar.
Ky është projekt i përbashkët mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Në dhjetor të vitit 2022, Ministri Liburn Aliu bashkë me Kryetarin Përparim Ramën, kishin dalë në terren pikërisht për këtë projekt.
“Me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, në terren për të diskutuar rreth avancimit të projekteve të përbashkëta që i kemi me Komunën e Prishtinës. Ndërtimi i Urës në Veternik mbi Rrugën A; dhe Unaza e mesme e Kryeqytetit”, kishte shkruar Aliu.