Pas Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila u bë gazi i vendit me deklaratën se me qeverinë Kurti Bruto Produkti Vendor (GDP-ja) “është rritur mbi 50%”, sagës së akrobacive me numra përmes interpretimeve gjymtuese të indikatorëve ekonomikë iu bashkua së fundi edhe shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila. E ftuar në emisionin e Adriatikut, “Rubikon”, diku në mes të intervistës, deputetja që i del zot grupit parlamentar të pushteit, iu fut një zeje që sapo shqiptoi fjalët e para, na dha projeksionin se do të dështonte keq.
Mes një sërë deklaratave për “zhvillimin” e vendit nën qeverinë e Kurtit, për një moment deputetja Kusari deklaroi se “ka pasur rritje të GDP-së”.
Gazetari Kelmendi nuk e bleu dhe insistoi që pretendimi i deptuetes të mos kalonte pa u argumentuar se çfarë ka dashur të thotë me një pohim të tillë.
Prej minutës së 52-të, sekondës së 28-të, Kusari-Lila, ndonëse mundohej të mbështetej në manovrën klasike të interpretimeve shtrembëruese, e kishte të vështirë të plotësonte një fjali teksa po gjurmonte “faktin” diku në letrat e saj për të mbështetur pohimin.
Në vazhdim përgjigja e Kusari-Lilës ishte si në vijim: “Rritja e GDP-së është bërë në nivelin më të lartë që… është bërë prej qeverive derisa kanë qenë… deri me tash… për shkak edhe të…
Konfuz me argumentimin që po përpëlitej të nxjerrte Kusari, Kelmendi pyet: “si, vetëm nga tregoni si?”.
Në linjë perfekte me formulën e përdredhjeve nga krerët e pushtetit e cila ka që në thelb krahasimet e çakorduara të treguesve ekonomikë, deputetja Kusari tha se BPV-ja ka arritur vlerën 9.6 miliardë euro krahasuar me kohën kur është marrë qeveria, e (pa)vetëdijshme se krahasimet po i bënte gjatë periudhës së pandemisë.
“Bruto Produkti Vendor ka arritur vlerën 9.6 miliardë euro nga 6.7 miliardë euro sa ishte në kohën kur është marrë qeverisja. D.m.th., para tri viteve”, ishte argumenti i deputetes së VV-së.
Pretendimet për rritje të Bruto Produktit Vendor nga Kusari-Lila u hodhën poshtë nga Kelmendi i cili argumentoi se në vite si 2019 rritja ekonomike ishte 4.8 për qind dhe se krahasimet e pushtetit po bëheshin sipas dëshirës.
“Në 2019-ën nuk është 3.7, është 4.7. Vetëm dy vjet. 8 vjet ka pasur rritje më të madhe se kjo që po e quani rritje më të madhe”, tha Kelmendi.
Krahasimet e pushtetit i quajti “jo serioze” edhe koordinatori për Financa në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, në një përgjigje për Nacionalen.
Ai tha se qeveria aktuale vepron me këtë logjikë, duke bërë krahasime me vitin 2020.
GDP-ja (Bruto Produkti Vendori) nominale në kohë të inflacionit e reflekton rritjen e çmimit, ka shpjeguar Mustafa.
“GDP-ja nominale në kohë të inflacionit e reflekton rritjen e çmimit. Nuk e reflekton rritjen e prodhimit. Për shembull; mundesh brenda një viti t’i prodhosh 5 bukë. Nga një euro bëjnë pesë euro. Edhe GDP-ja e vendit është pesë euro sepse aq është vlera e mallrave të prodhuara. Vitin tjetër, nëse bëhet çmimi i bukës 2 euro ti prapë mund t’i prodhodh 5 bukë. Nga 2 euro tash bëjnë 10 euro. Kështu i bie që GDP-ja u rrit 100 për qind. Në fakt është rrit vetëm çmimi. Këta po thirrën në këtë dhe po krahasohen me me 2020-ën. Kjo është tepër joserioze”, tha Mustafa.
Kujtojmë se raporti i fundit i Bankës Botërore ka theksuar se rritja reale e BPV-së është moderuar në rreth 3.1 për qind në vitin 2023, kryesisht për shkak të performancës së dobët në eksporte.
“Në vitin 2023, rritja reale e BPV-së u moderua në rreth 3.1 për qind, kryesisht për shkak të një kontributi më të ulët të eksporteve.” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Pavarësisht përpjekjeve për të kaluar drejt një modeli rritjeje të drejtuar nga eksporti, në raport thuhet se sfidat vazhdojnë, me vetëm 39 për qind të popullsisë në moshë pune që merr pjesë aktive në tregun e punës. /Flakon Demaku – Nacionale