Rritet për 20 për qind numri i kërkesave për ndihmë në Prishtinë, shkak sëmundjet e rënda

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar që mbi dy mijë persona kanë kërkuar ndihmë vitin e kaluar nga komuna e Prishtinës për trajtimin e sëmundjeve malinje dhe atyre kronike të rënda.

“Më shumë se 2000 persona vitin e kaluar, kanë përfituar subvencion nga Kryeqyteti për trajtimin e sëmundjeve të rënda, kjo i bie një rritje prej 20% më shumë në krahasim me 2022-ën”, ka shkruar Rama në Facebook.

“Sot punëtorët e zellshëm të Sektorit të Shërbimit me Qytetarë, janë mbingarkuar nga kërkesat e qytetarëve për subvencionimin nga Drejtoria e Shëndetësisë për sëmundjet malinje dhe kronike të rënda”.

Rama tha se kërkesat e njerëzve në nevojë do të pranohet gjatë tërë vitit.

“Në lidhje me këtë, ju njoftoj se kërkesat e juaja pranohen GJATË GJITHË VITIT dhe ato do t’i shqyrtojë komisioni profesional”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se jetesa me një sëmundje kronike sjell sfida të mëdha, jo vetëm shëndetësore, por edhe financiare. Qëllimi ynë është të sigurojmë që të mos ndiheni të vetmuar në këtë luftë dhe të ofrojmë një dorë ndihme aty ku është më e nevojshme.”.