Rreth 50 zyrtarë të Policisë së Kosovës dhanë dorëheqje vullnetare që nga fillimi i këtij viti deri më tash.
Arsyet kryesore të këtyre dorëheqjeve, kryesisht janë pakënaqësitë me kushtet e punës.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tregon se shumica e këtyre zyrtarëve që dhanë dorëheqje janë me përvojë të gjatë në Polici andaj mungesa e tyre do të ketë efekte.
Ai përmend si pengesë edhe moshën mesatare të këtyre zyrtarëve policorë që është 47-vjeçare, e që sipas tij kjo do të mund të evitohej nëse miratohet Ligji për Pensionimin e Parakohshëm.
Kurse njëri nga ish-drejtorët e këtij institucioni, Rashit Qalaj thotë se lajmi për dorëheqjen e tyre është shqetësues dhe dëm i madh për vendin.
Edhe ky mendon se për parandalimin e këtij trendi në Policinë e Kosovës, institucionet e vendit do duhej t’i plotësonin kushtet e tyre.
Zeqiri e Qalaj thonë që nëse nuk merren masa për të përmirësuar mirëqenien e policëve do të ketë edhe dorëheqje tjera nga ky institucion.