Rregullorja e re e “Prishtina Parking” do të hyjë në fuqi më 22 janar të këtij viti.
Kështu ka bërë të ditur faqja zyrtare e “Prishtina Parking” në Facebook, përcjell Klankosova.tv.
E me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, kanë pësuar edhe disa ndryshime në të.
Në njoftimin e faqes bëhet e ditur se vetura e parë do të jetë pa pagesë për banorët rezident në adresën/rrugën e tyre ose pas aplikimit të kodifikimit në të gjithë qytetin, në segmentin e tyre (10 euro kosto e regjistrimit e cila aplikohet vetëm një herë), kosto më e lirë për veturën e dytë, do të largohen të gjitha laurat në lagjet rezidenciale, e shumë ndryshime të tjera.
Përndryshe në njoftimin e mëposhtëm janë të renditura 13 pika, pra ndryshimet kryesore të rregullores së parkingut.
“1. Vetura e parë pa pagesë për banorët rezident në adresën/rrugën e tyre ose pas aplikimit të kodifikimit në të gjithë qytetin, në segmentin e tyre (10 euro kosto e regjistrimit e cila aplikohet vetëm një herë).
- Kosto më e lirë për veturën e dytë (10 euro për muaj).
- Zgjatja e orarit në Zonën 1 dhe 2 deri në ora 23:00.
- Kufizim i parkimit në lagjet rezidenciale për vizitorë në orët e mbrëmjes dhe më shumë hapësira në dispozicion për banorët rezident.
- Largim i të gjitha laurave në lagjet rezidenciale.
- Prioritet në regjistrim për banorët rezident kundrejt subjekteve jurdike/lokaleve afariste. Vetëm pas përfundimit të regjistrimit të banorëve, do të hapet procedura për pagesë nga ana e subjekteve jurdike dhe lokaleve afariste.
- Dita e shtunë dhe e diel pa pagesë në parkingjet e hapura.
- Në rast të mos-pagesës së parkimit nga ana e klientëve dhe vendosjes së bllokadës, tiketa e vendosur së bashku me bllokadën është biletë e vlefshme parkimit për 24 orët e ardhshme në cilëndo zonë dhe vend-parkim të hapur (kufizimet vlejnë sipas orarit për lagje).
- Parking pa pagesë për personat me nevoja të veçanta dhe për invalidët e UÇK-së, e vlefshme në hapësirat me sinjalistikë për persona me aftësi të kufizuara (regjistrimi pranë ndërmarrjes dhe pajisja me leje është e detyrueshme).
- Shtim i procedurës për rimbursim në rast të gabimeve teknike që kanë arsyeshmëri të plotë nga ana e klientëve
-
- Procedurë tejet transparente e trajtimit të ankesave, me mundësi publikimi të përgjigjes në rast se kërkohet nga ankuesi.
- Të gjitha parkingjet do të kenë sinjalistikë horizontale dhe vertikale. Sinjalistika vertikale do të përmbajë të gjitha informacionet e nevojshme lidhur me kufizimet, të drejtat si dhe llojin e parkingut (rezidencial, komercial apo i kombinuar).
- Çmimorja do të publikohet në web-faqen e N.P.L. “Prishtina Parking” brenda kësaj jave, e po ashtu edhe në rrjetet sociale të N.P.L. “Prishtina Parking”. Në shtojcën e rregullores mund të gjeni çmimoren e miratuar nga Kuvendi Komunal.
Informacion shtesë
– Të gjithë qytetarët që kanë parapagim përtej datës 22 Janar 2024 do të rimbursohen, duke zbritur shumën prej 10 euro për ta cilësuar si pagesë të tarifës administrative.
– Të gjithë qytetarët të cilët i kanë dokumentet e plota në ndërmarrje do të njoftohen për të nënshkruar kontratën e re dhe nuk kanë nevojë të sjellin dokumente shtesë”.