Nga viti 1999 pranon telefonata shqetësimesh nga qytetarët e informimi nga organet e sigurisë. E me marrjen e informatës, ky tingull lajmëron kolegët e saj zjarrfikës të nisen për intervenim. Lirije Ahmeti është e vetmja grua në Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, por edhe në Kosovë.
Karrierën e kishte nisur në vitin 1999, me përfundimin e luftës. E, që atëherë, ajo thotë se procesi i punës ka ndryshuar shumë.
“E kemi pas vetëm një telefon e merrnim informata shumë. Duhej të kishe shumë kujdes. Për shembull, tani janë avancu gjërat, teknologjia po e bën të veten. Tani telefonat e tregojnë numrin e përpara nuk e bënin këtë. Njerëzit telefonin, telefonin edhe nxënës. E, ka ndodhë që kemi pas telefonata të rrejshme. Tani, mund ta bëjmë verifikimin. Është shumë më lehtë”, ka deklaruar Ahmeti, për RTV Dukagjini.
Ditën e nisë para orës 8:00 e këtë me qëllim që t’i kontrollojë radiolidhjet, ashtu që mos humbasë asnjë telefonatë.
Si e vetmja grua në brigadë, ajo thotë se mikpritja e ndihma nga kolegët nuk i ka munguar.
Megjithatë, puna shpeshherë ka ditur ta mërzisë e këtë e thotë gjersa kujton një thirrje që kishte pranuar.
“Një rast më i rëndi, tani po e them njërin. Janë djegur fëmijët në shtëpi dhe kanë thirr. Ai mbetet më i rëndi për mua. Më thanë se një shtëpi po digjet, jo shumë larg nga këtu. Burri ka shkuar në punë dhe atë kohë ndalej rryma shumë. Kishte ndodhur si shkak i qiririt, janë kall ato shpuzat e syngjerat, fëmija kishin marrë flakë. Është rasti i parë i rëndë emocionalisht”, ka vijuar Ahmeti.
Thirrjet më të shpeshta i pranon gjatë kohës verë-vjeshtë e shpeshherë, numri i tyre ka shënuar rekord intervenimesh.
“Kemi shumë thirrje sidomos kohën e verës, por edhe kur ka vërshime. Atëherë ka më së shumti telefonata. Për vërshimet e fundit nuk kam qenë në ndërrim, por ato të parafundit, ka pas 24 thirrje brenda ndërrimit tim”, ka theksuar ajo.
E prezenca e grave në profesione që tradicionalisht u përkasin burrave, ajo thotë se është më se i nevojshëm.
“Çdo profesioni, gratë ia dalin gjithmonë. Tash janë të afirmuara, i kanë të gjitha përparësitë. Mund t’ia dalin çdo pune”.
Ahmeti nuk e di nëse punën do vazhdojë ta bëjë deri në pension por thotë se për aq kohë sa e bën, do jetë gjithmonë aty për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë.
Në Kosovë janë rreth 800 zjarrfikës.