Rohde: Po i bëjmë thirrje Qeverisë që të bëjë disa gjëra – ndonjëherë dëgjojnë, ndonjëherë jo

“Po i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë ndonjëherë jo”, ka deklaruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai ka theksuar se Kosova duhet të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Kështu u shpreh ai në diskutimin që u organizua nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme. Kritik u shpreh edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, i cili tha se çelësi është normalizimi.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde tha se partneriteti mes Kosovës e Gjermanisë është unik, por siç shtoi, Kosova duhet të dëgjojë këshillat e partnerëve të saj.

Rohde shtoi se mënyra për të ndryshuar pozicionin e pesë vendeve mos-njohëse është të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot kërkoi që Kosova të angazhohet në normalizim, pasi që sipas tij ky është çelësi.

Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe organizatat euroatlantike.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu foli për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka tha se janë të ruajtura mirë.