Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka quajtur “për keqardhje dhe shkatërrues”, kërkesën e Listës Serbe për bojkotim të votimeve në veri për shkarkimin ose jo të kryetarëve të katër komunave.
Rohde deklaroi se ende nuk është arritur situata kur të gjithë qytetarët të ndihen të përfaqësuar nga kryetarët e katër komunave veriore.
“Megjithatë, në të njëjtën kohë, qeveria kosovare ka bërë pjesën e saj, duke paraqitur një proces që mund të kishte çuar në më shumë përfaqësim nëse do të përdorej nga votuesit”, tha Rohde.
Diplomati gjerman theksoi se “ata që bënë thirrje për bojkot morën pikërisht atë që kërkuan”.
“Bojkoti i kërkuar nga aktorët politikë si Lista Srpska është, siç e kam thënë më parë, për keqardhje dhe shkatërrues kur bëhet fjalë për kulturën demokratike, zgjidhjen e problemeve dhe kujdesin për jetën e përditshme aktuale të qytetarëve”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një përgjigje për Klankosova.