Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se agjenda e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit.
Kosova deri më tani nuk është futur në agjendën e mbledhjes së 17 majit ku kishte pritje se mund të hidhej në votim kërkesa për anëtarësim.
Rohde tha se sa më shpejt që Kosova ndërmerr një vendim “të guximshëm” aq më realiste bëhet arritja e mbështetjes.
“Agjenda për mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por sa më shpejt që Kosova të marrë një vendim të guximshëm, aq më realiste është arritja e 2/3 së shumicës për t’iu bashkuar Këshillit të Europës!”, ka shkruar Rohde në X, duke ndarë një pjesë të një interviste për A2 CNN.