Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u takua me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Evropë, Artur Lorkowski dhe delegacionin e tij.
Rizvanolli theksoi se, sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Evropë e ka mbështetur Kosovën në shumë procese të rëndësishme, përfshirë këtu edhe rreth kornizës ligjore dhe menaxhimit të krizës energjetike, për çfarë edhe e falënderoi zotin Lorkowski për përkrahjen.
Gjatë takimit, po ashtu u trajtuan edhe çështjet më të rëndësishme aktuale të energjisë, në veçanti për Planin Kombëtar të Kosovës për Energji dhe Klimë (NECP), Harmonizimin e Politikave Mjedisore me Politikat Evropiane (ETS) dhe Marrëveshjen për Tregun e Energjisë Elektrike.
Përveç kësaj, me theks të veçantë u diskutuan edhe sfidat aktuale dhe proceset e lehtësimet që mund të ofrojë Bashkimi Evropian në rrugën drejt transformimit energjetik të vendit.