Klubi i qytetit të Pejës, SC Besa, ka njoftuar se nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Ligën e Parë të Kosovës.
Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare të klubit, i është bërë thirrje të gjithëve që të bëhen bashkë rreth ekipit dhe të kontribuojnë në ngritjen e tij.
“Nga sezoni 2024/25, SC BESA 1923 do të luajë në Ligën e Parë të Kosovës, duke sjellë emocion dhe energji të re në futbollin e qytetit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë sportdashësve, sponsorëve dhe mbështetësve të bashkohen rreth ekipit dhe të kontribuojnë për të mbushur përsëri shkallët e stadiumit ‘Shahin Haxhiislami’ gjatë fundjavave. Futbolli i ka munguar Pejës, dhe Peja i ka munguar futbollit”, thuhet në njoftimin e klubit.
Besa ishte kampione e Superligës së Kosovës në futboll për tri vite rresht, përkatësisht në sezonin 2004-2005, 2005-2006 dhe 2006-2007, gjë të cilën deri më tani ka arritur ta bëjë vetëm Ballkani.