Rezultatet në PISA, Kurti: Defektet në sistemin e arsimit s’mund të rregullohen përnjëherë dhe shpejt

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rezultatet e ulta në testin e PISA-s, duke thënë se defektet strukturore në sistemin arsimor nuk mund të rregullohen përnjëherë e shpejt.

Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, Kurti ka thënë se këto defekte shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë.

Sipas tij, PISA po tregon se s’po shkon diçka mirë në fëmijërinë relativisht të hershme.

“Jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA për vendin tonë, që treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë, e nuk do të mund të rregullohen as përnjëherë e as shpejt. Testi PISA po tregon se në fëmijërinë relativisht të hershme diçka s’po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës, të mësimdhënies e të mësimnxënie. Mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë e garantojnë që nxënësit po mësojnë e dinë”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, Kosova ka shënuar rënie në renditjen e testit PISA, që mat aftësitë e nxënësve në lexim, shkencë e matematikë.

Kosova është renditur ndër të fundit në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA.

Ajo e ka zënë vendin e 74-të në matematikë – fushën kyçe në testim – dhe vendin e 76-të në lexim.

Në të dyja fushat, Kosova ka pësuar rënie në performancë me 11 pikë më pak, në krahasim me testet e vitit 2018.

Në shkencë, Kosova është renditur e 77-ta, me tetë pikë rënie.

Testimet e PISA-s nuk lidhen me planprogramet mësimore të vendeve pjesëmarrëse, por me zbatimin e mësimeve në përditshmëri.

Rezultatet u vlerësuan të pritshme, por shqetësuese.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ia la fajin pandemisë dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverisë.