Regjistrimi i popullsisë nuk do të fillojë më 1 shtator: A ndikoi situata në veri në shtyrjen e këtij procesi?

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka njoftuar se është shtyrë procesi për regjimin e popullsisë. Në mbledhjen e Qeverisë e mbajtur dy ditë më parë, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka njoftuar se procesi i regjistrimit të popullsisë nuk do të mund të fillojë më 1 shtator, ashtu siç ishte planifikuar, madje i njëjti ka fajësuar edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës duke thënë se kanë bërë “rezistencë” brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit. Por, pse u shty ky proces?

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka bërë me dije se ky proces është shtyrë për dy muaj, kështu duke fajësuar edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, duke thënë se kanë bërë “rezistencë” brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit dhe se ky proces pritet të nis më 1 nëntor 2023.

Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës të prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023. Pra, dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet.” – ka thënë Kurti.

Reagime të shumta

Pasi që kryeministri Kurti njoftoi se ky proces është shtyrë për dy muaj, menjëherë nisën edhe reagimet duke dhënë edhe shumë arsyetime se pse ka ndodhur.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë për shtyrjen e këtij procesi duke theksuar se ky dështim rikonfirmon paaftësinë e thellë të kësaj qeveria për të bërë diçka.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se ekziston rreziku që ky proces të mos mbahet fare këtë vit.

Dështimi i Qeverisë për të filluar regjistrimin e popullsisë, rikonfirmon edhe një herë paaftësinë e thellë e cila tashmë është bërë sinonim i çdo veprimi nëpër të gjithë sektorët e shtetit. Fillimisht, e shtynë këtë proces nga viti i kaluar, ndërkaq, tash, nga 1 shtatori kur është dashur të filloj, e shtyen përsëri për disa muaj. Në fakt, rreziku është që regjistrimi i popullsisë të mos bëhet fare këtë vit, e Kosova të lihet pa statistika legjitime dhe tejet të rëndësishme.” – ka shkruar Krasniqi.

Shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, Krasniqi e ka ndërlidhur me humbjen e kontrollit të Qeverisë në pjesën veriore të vendin, duke shtuar se në atë pjesë qeveria s’është e aftë që t’i regjistrojë qytetarët.

Përkundër arsyetimeve të rreme të Qeverisë, ekzistojnë disa arsye, tërësisht politike se pse po shtyhet regjistrimi i popullsisë. E para: Qeveria e ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit, andaj s’është e aftë që t’i regjistrojë qytetarët atje. E dyta: emigrimi masiv i qytetarëve të Kosovës, ku, vetëm brenda këtyre mbi dy viteve të kësja qeverie, janë larguar nga vendi rreth 150 mijë qytetarë. E treta: katrahura që e ka kapluar Agjencionin e Statistikavë të Kosovës, për shkak të ndërhyrjeve politike e partiake në të nga ana e Qeverisë.” – ka vlerësuar Krasniqi.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala e ka ndërlidhur shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë me situatën në veri.

Shala në një prononcim për Gazetën Nacionale ka thënë se palët do të mundohet që ta shfrytëzojnë muajin shtator dhe tetor për të gjetur një zgjidhje dhe ky proces të realizohet sipas ligjeve të Kosovës.

Ndër të tjera ka deklaruar se shtyrja e tillë është si rezultat i gabuar i Qeverisë së Kosovës.

Sa i përket shtyrjes së procesit të regjistrimit të popullsisë deri në nëntor 2023, kjo dëshmon faktin se gjatë muajit shtator dhe tetor që sipas të gjitha gjasave do të ulën palët për diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje optimale për pjesën veriore dhe kështu ky proces mund të realizohet sipas ligjeve të Kosovës. Pra mund të thuhet se kjo shtyrje është si rezultat i politikës së gabuar nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila de-facto ka luajtur me pjesën veriore.” – ka thënë Shala.

Gazeta Nacionale i ka dërguar pyetje Agjencisë së Statistikave të Kosovës për të marrë më shumë informacione se pse është shtyrë ky proces dhe se a ka qenë kërkesë e tyre, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigjet AKK-ja

Në lidhje me akuzat e kryeministrit, për Nacionalen ka folur drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Jo, jo kjo nuk qëndron aspak. Kjo nuk është e drejtë dhe korrekte. Unë personalisht kam qenë anëtar i këshillit, dhe këshilli përbëhet prej mbi 15 anëtarë. Në dijeninë time janë rreth 15 anëtarë. SI është e mundur që një organizatë joqeveritare pa kompetenca ekzekutive, do të mund ta parandalonte një proces të tillë të rëndësishëm. Po besoj që kryeministri nuk qenka informuar drejt. Për angazhjimin e AKK mund ta pyetni edhe kryesuesin e Këshillit të regjistrimit, z.Florim Isufaj.” – ka thënë fillimisht Ibrahimi.

Drejtori i Asociacionit ka treguar për Nacionalen se e ka kundërshtuar kontraktimin e një organizate, e cila planifikonte regjistrimin e popullsisë me rezolutën 1244.

Unë personalisht e kam kundërshtuar fortë kur ka qenë puna e kontraktimit të një organizate ndërkombëtar e cila ka kërkuar që regjistrimi i popullatës të bëhet me fusnotën e rezolutës 1244, pra jo me fusnotën e marrëveshjes së Brukselit, unë kam deklaruar si përfaqësues i AKK-së kjo nuk do të mund të pranohet dhe nuk kam pasur mandat që ta pranoj një kërkesë të tillë mirëpo nëse edhe Këshilli do të dëshironte të procedoj më tutje, unë do kisha qenë i mbivotuar. Rezistencë tjetër sa i përket regjistrimit të popullatës Asociacioni nuk ka bërë, përkundrazi ka qenë shumë konstruktiv.” – ka deklaruar Sazan Ibrahimi. /Eriola Cacaj – Nacionale