Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka kritikuar Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, i cili sot ka refuzuar kërkesën e qytetarëve të kësaj komune për largim të kryetarit aktual, Erden Atiq.
Ai ka bërë me dije se, sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ, kryesuesi nuk ka asnjë kompetencë për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës.
“Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, e ka shkelur ligjin dhe aktet tjera, me vendimin për refuzim të kërkesës së qytetarëve për largim të kryetarit të komunës. Kryesuesi nuk ka asnjë kompetencë, as sipas ligjit as sipas udhëzimit adminsitrativ, për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, e aq më pak refuzimit të saj. Roli i kryesuesit është krejt simbolik dhe vetëm njoftues i instancave tjera”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka vlerësua se kjo qasje e pengon zbatimin e zotimeve të Qeverisë për shtensionim të plotë të situatës në veri.
“Kjo qasje bllokuese e pengon zbatimin e zotimeve të Qeverisë për shtensionim të plotë të situatës në veri, por edhe tregon joseriozitet institucional”, ka shkruar Cakolli.