Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka reaguar edhe zyrtarisht, pas paqartësive të krijuara në publik lidhur me ndërprerjen e kontratës me disa prej avokatëve të Thaçit në Hagë dhe shqetësimet e krijuara te qytetarët lidhur me procesin gjyqësor.
Në reagimin e tyre, ky fondacion shpreh shqetësime lidhur me procesin e stërzgjatur përtej çdo parashikimi, duke thënë se shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme.
Duke mos dashur që të bëhen barrë e shtetit, sipas komunikatës zyrtare të fondacionit, tregohet se familja e presidentit Thaçi asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar skemën e mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për më tepër se tri vite, e cila u mundësohet bazuar në legjislacionin primar e sekondar dhe ajo do të vazhdojë t’i mbulojë vetë shpenzimet e tyre familjare. Por, sipas tyre, procesi po stërzgjatet përtej çdo parashikimi dhe shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme për familjen dhe njerëzit vullnetmirë, prandaj si fondacion shprehin shqetësimin për procesin e mëtejmë dhe pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes.
Komunikata e plotë e Fondacionit “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”:
Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, pas njoftimit për ndërprerjen e kontratës së angazhimit me një pjesë të ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi dhe njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, ka pranuar reagime dhe shqetësime të shumta të qytetarëve.
Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të realizojë pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, pa e specifikuar kufizimin e marrëveshjes vetëm për një avokat, që në rastin e presidentit Hashim Thaçi mund të mbulojë vetëm shpenzimet e avokatit z. Luka Misetiq. Në këtë mënyrë, kufizimi i shpenzimeve të mbrojtjes nga Ministria e Drejtësisë ka pamundësuar vazhdimin e kontratës përkatëse dhe se shuma e kufizuar nga kjo ministri, si e tillë, nuk është e mjaftueshme as për shpenzimet mujore të stafit mbështetës të një avokati ndërkombëtar.
Duke i falënderuar përultësisht njerëzit vullnetmirë për secilin shqetësim të tyre, e vlerësojmë të nevojshme që lidhur me këtë çështje t’i ofrojmë edhe këto sqarime:
Si pasojë e rishikimit të akteve nënligjore nga Ministria e Drejtësisë, me të cilat është kufizuar tejmase mundësia për kompensimin e shpenzimeve të ekipeve mbrojtëse në procesin gjyqësor të Hagës, edhe përkundër që ligji në fuqi ka krijuar bazën juridike për të mbuluar këto shpenzime, rrugëzgjidhja e vetme ishte ndërprerja e kontratës me një pjesë të ekipit mbrojtës të z. Thaçi për shkak të pamundësisë financiare për t’i mbuluar këto shpenzime.
Ministria e Drejtësisë ka vendosur që të realizojë pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, pa e specifikuar kufizimin e marrëveshjes vetëm për një avokat, që në rastin e presidentit Hashim Thaçi mund të mbulojë vetëm shpenzimet e avokatit z. Luka Misetiq. Në këtë mënyrë, kufizimi i shpenzimeve të mbrojtjes nga Ministria e Drejtësisë ka pamundësuar vazhdimin e kontratës përkatëse dhe se shuma e kufizuar nga kjo ministri, si e tillë, nuk është e mjaftueshme as për shpenzimet mujore të stafit mbështetës të një avokati ndërkombëtar.
Sidoqoftë, deri më tani, pothuajse i gjithë angazhimi i ekipeve të mbrojtjes të z. Thaçi është mbuluar nga kontributi i familjarëve dhe njerëzve vullnetmirë, të cilët i falënderojmë përzemërsisht për përkrahjen. Duke mos dashur që të bëhen barrë e shtetit, familja e presidentit Thaçi asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar skemën e mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për më tepër se tri vite, e cila u mundësohet bazuar në legjislacionin primar e sekondar dhe ajo do të vazhdojë t’i mbulojë vetë shpenzimet e tyre familjare. Por, procesi po stërzgjatet përtej çdo parashikimi dhe shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme për familjen dhe njerëzit vullnetmirë, prandaj si fondacion jemi të shqetësuar për procesin e mëtejmë dhe pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes.
Duke shprehur mirënjohje për të gjithë kontributdhënësit, kërkojmë që çështja e shpenzimeve për mbrojtjen juridike të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga institucionet e vendit