Federata e Futbollit e Kosovës përmes një reagimi dënon ashpër retorikën e dhunës, kërcënimeve e ofendimeve të shfaqura në stadiume, në media dhe në të gjitha sferat e futbollit kohët e fundit.
“Ne ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në këtë sport që t’u shmangen veprimeve që dëmtojnë reputacionin e futbollit.FFK, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, institucionet e tjera shtetërore si dhe UEFA-n e FIFA-n, angazhohet në luftën e pakompromis kundër çdo forme parregullsie në futboll.
Çdo veprim i kundërligjshëm do të ndëshkohet me vendosmëri, bazuar në faktet dhe rregullat e futbollit.Futbolli është jo vetëm një garë sportive, por edhe një formë e argëtimit. Prandaj, veprimet që shkelin vlerat e këtij sporti duhet të përjashtohen plotësisht dhe të mos gjejnë vend në futboll.
Të gjithë pjesëmarrësit në futboll duhet të kuptojnë dhe të kujdesen për misionin e tyre: futbollistët për performancën e tyre, trajnerët për edukimin dhe përgatitjen e ekipit, drejtuesit e klubeve për organizimin dhe krijimin e kushteve më të mira, gjyqtarët për drejtësi, tifozët për mbështetjen e klubit dhe korrektësinë ndaj kundërshtarit, dhe gazetarët për pasqyrimin e vlerave të futbollit dhe kritikën pa tendencë.Edhe njëherë rikujtojmë çdo palë në futboll që FFK-ja është e pakompromis në luftën e dukurive negative dhe kushdo që e shkel integritetin e garave dhe rregulloret e garave do të ndëshkohet me dënimin më të rëndë, pasi do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë atyre që dëmntojnë futbollin.
Ne po e bëjmë të pamundurën për ta ngritur futbollin, për të licencuar trajnerë, për të ndihmuar në aspektin teknik, ekonomik e infrastrukturor, prandaj kërkojmë rregullsi dhe disiplinë sportive.Edhe një herë ju lusim që ta ruani integritetin e garave, duke ju paralajmëruar njëherësh se të gjitha xhirot e mbetura janë të monituruara në maksimum.
Besojmë se vetëm duke i bashkuar forcat mund ta ruajmë integritetin dhe reputacionin e futbollit në Kosovë”, thuhet në reagimin e FFK-së, i cili vjen pas dhunës së shfaqur nga drejtuesit e Dritës me tifozët e klubit të tyre, por edhe kërcënimeve të Phoenix ndaj një gazetari, si dhe hedhjes së akuzave të ndryshme në studio televizive.