Grafite të shumta me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, të shkruara tek cepi verior i urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë, provokojnë tejmase qytetarët shqiptarë, sidomos ata të cilët frekuentojnë për çdo ditë këtë urë.
“Ratko Mlladiq hero i popullit”, “Do ta shpërthejmë murin”, “Kosova është zemra e Serbisë”, të shkruara në alfabetin cirilik të serbishtes, janë vetëm disa nga mbishkrimet, për të cilat qytetarët shqiptarë thonë se duhet të shlyhen sa më parë nga institucionet, sepse janë provokuese për ata, shqetësuese dhe nxisin urrejtje.
“Mu në atë vend ku janë ato grafite anti shqiptare, aty ka qenë xhamia të cilën e kanë rrënuar. Qeveria jonë duhet me ndërmarrë diçka tash, pasi po funksionon pjesa veriore me shqiptarë. Merreni me mend, Ratko Mlladiqin e quajnë hero të popullit… Ato grafite janë provokative dhe institucionet tona kishte qenë mirë me i fshi”, ka thënë Zogu.
Edhe Burhan Nuhi, një mitrovicas tjetër nga veriu i këtij qyteti, grafitet e tilla i ka quajtur anti shqiptare, shqetësuese dhe provokim të hapur.
“Grafitet janë anti shqiptare dhe shqetësuese… I bëj thirrje institucioneve që këto grafite me i eliminu dhe me i fshi. Me marrë masa sa më shpejtë, ky është provokim”, theksoi Nuhi.
Në anën tjetër, Veton Elshani, ushtrues i detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, tha se policia ka hapur shumë raste për mbishkrime të tilla në mbarë veriun e vendit.
Ai shtoi se deri tani nuk është arrestuar askush për këto grafite tek ura e Ibrit.
“Kemi mbishkrime me përmbajtje të cilat nxisin urrejtje ose që ne kemi hapur raste për to për përçarje, nxitje të urrejtjes, nëpër tërë veriun e vendit. Po, ka grafite aty, me siguri kemi hapur raste për to, sepse kemi shumë raste të hapura për raste dhe ngjarje të tilla, dhe nuk kemi persona të arrestuar, përveç sa di unë një rasti tash para dy ditësh që kemi arrestuar një person për shkruarje të këtyre grafiteve me nxitje të urrejtjes. Mirëpo, çështja jonë nuk është me u marrë me shlyerje ose largimin e tyre prej vendit ku janë shkruar”, sqaroi Elshani. KP