Avdi Raci, i cili ishte anëtar i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, gjatë dëshmisë së tij në rastin e njohur si “Veteranët”, tha se numri i veteranëve luftëtarë mund të jetë rreth 31 apo 32 mijë.
“Muj me gabu në saktësi. Përafërsisht, janë kanë diku tri herë që kanë ardhë dokumentet në TMK. Mundet me kanë te 31 mijë- 32 mijë, muj me gabu në saktësi por e përafërt mund të jetë aty”, ka thënë dëshmitari Raci.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, dëshmitari Raci ka qëndruar pranë të gjitha deklaratave të dhëna më parë, ndërsa ka pohuar se ka qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe se kjo e fundit është marrë me regjistrimin e veteranëve luftëtarë dhe me numrin e tyre.
Raci tha se ka qenë anëtar i Komisionit nga fillimi deri para përfundimit të procesit, kur edhe kishte dhënë dorëheqje meqenëse tha se nuk ishte pajtuar me shumë gjëra.
“Unë kam dhënë dorëheqje sepse ka fillu procesi i vlerësimit të ankesave. Kemi qenë një komision prej pesë anëtarëve dhe në fillim të shqyrtimit të ankesva e mospajtimi im ka qenë që mos me qenë anëtar të komisionit komandat i zonave, mos me qenë të pranishëm në vlerësim në mbledhjen e komisionit dhe kjo s’e ka gjet përkrahjen e komisionit dhe kjo ka qenë arsyeja që unë jam dorëheq”, ka thënë Raci.
Sipas tij, aplikacionet janë shqyrtuar prej nënkomisioneve të zonave, ndërkaq komisioni i ka aprovuar.
Dëshmitari theksoi se Komisioni nuk kishte mundësi për verifkimin e aplikacioneve një nga një për shkak të volumit të madh, por që këtë e kishte bërë nënkomisioni. Kurse, ka mohuar të ketë pasur ndonjë aplikacion në komision që është shqyrtuar apo diskutuar për emra të përveçëm apo të përgjithshëm derisa ai ka qenë në komision.
Në fund, dëshmitari Raci ka thënë se listat beson që kanë qenë shumë të sakta dhe se sistemi i listave që ata kanë administruar në TMK, kanë qenë lista të ardhura nga zonat.
Ndërsa, pas dëshmisë së tij, i akuzuari Faik Fazliu ka thënë se kjo që tha dëshmitari është diçka e re rreth listave të TMK-së, sepse në ato lista sipas tij nuk kanë qenë të përfshira asnjëherë Ministria e Mbrojtjes që ka qenë edhe pjesë e komisionit me ligjin.
Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Rrahman Rama, i cili ka qëndruar pranë të gjitha deklaratave të dhëna paraprakisht, me ç’rast prokurori special Valdet Gashi nuk kishte pyetje të tjera.
Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari Rama ka sqaruar se ai ka qenë anëtar i komisionit vlerësues shtetëror nga fillimi deri në përfundim.
Sa i përket vlerësimit të aplikacioneve të aplikantëve për përfitimin e statusit të kategorive të dala nga lufta, dëshmitari tha se për aq sa i kujtohet ata kishin bërë rregulloren e brendshme se si do të veprohet bazuar në ligj.
“Secili prej nesh që ka qenë pjesëtar i UÇK-së, kemi pas për obligim m’i jep të dhënat personale, aktivitetet që i ka pas, shërbimet që i ka bo qoftë në zonë qoftë në nivele të ndryshme”, ka thënë dëshmitari Rama.
Ai ka sqaruar se kishin hartuar aplikacionin dhe kategorizimin e kategorive veteran, luftëtar, pjesëmarrës dhe kontribues, duke dërguar më pas aplikacionet në të gjitha zonat në të gjithë Kosovën.
Sipas Ramës, në mbledhje të komisionit me vendim ishte ndarë përgjegjësia tek zonat për të bërë vlerësimin dhe verifikimin. Ndërkaq, tha se komisioni nuk kishte shqyrtuar aplikacionet një nga një.
“Për secilin aplikant jo, asnjëherë. Në moment që janë ba aplikacionet dhe janë shpërnda unë si komanadat i asaj zone i asaj kohe, unë kam kalu tani e kam ba verifkimin dhe vlerësimin me gjithë eprorët e mi dhe vartësit e mi. Në Qeveri i kemi ba në zyret e Qeverisë, ku pjesë e atij procesi ka qenë edhe sekretariati i atij komisioni”, ka thënë dëshmitari Rama.
Ai ka mohuar të ketë pasur në zonën e Shalës aplikacione që në bazë të të dhënave personale kishte rezultuar që në kohën e UÇK-së ka qenë i mitur.
Kurse, arsyeja pse ai kishte qenë edhe anëtar i komisionit shtetëror edhe anëtar për shqyrtimin e ankesave tha se ishte bërë për shkak se askush nuk i kishte njohur ata persona më mirë se ata.
“Kjo ka qenë arsyeja sepse askush ma mirë se ne nuk i ka njohur ata njerëz ose edhe komandatat e tyre në të gjitha nivelet që i kanë njoft ma mirë në zonën ku ka vepruar ose njësinë ku ka vepruar”, ka thënë dëshmitari Rama.
Sipas tij, secili individ që e ka ndjerë veten të pakënaqur me statusin që e ka gëzuar, ka pasur të drejtë ankese në komisionin qendror në Qeveri ose sekretariat dhe se totali i tyre ka qenë rreth 10% prej të cilave tha se janë aprovuar vetëm 1 apo 2%.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri bëri të ditur se në këtë seancë ka qenë i ftuar në cilësi të dëshmitarit Sami Lushtaku, i cili e kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.
Mirëpo, në fund të seancës Lushtaku është kontaktuar përmes telefonit nga i akuzuari Faik Fazliu, i cili ka thënë se për sot nuk kishte pranuar ftesë, ndërkaq ka konfirmuar pjesëmarrjen për seancën e radhës.
Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.
Seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë. Kurse, seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar. Ndërsa, ajo e 28 shtatorit 2023 dështoi në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.
Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.