Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, është dhënë fjala përfundimtare, ku prokurori special Burim Çerkini, ka kërkuar dënimin e të akuzuarve Sadri Ramabaja dhe Avni Llumnica, ndërsa, mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.
Në këtë rast, Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J. Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Çerkini, në fjalën e tij përfundimtare të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar në gjykatë, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë akuzës dhe provave që e mbështesin këtë aktakuzë.
Sipas tij, gjendja faktike në këtë aktakuzë është vërtetuar nga dëshmia e tani të dëmtuarit, dëshmitarëve dhe provat materiale të prezantuara në këtë shqyrtim gjyqësor si dhe nga faktet e pakontestueshme.
Çerkini ka kërkuar nga trupi gjykues që provave të nxjerra gjatë shqyrtimit të parë dhe rastit të rigjykimit t’ua falë besimin e plotë me të cilat tha se do të vërtetohet përgjegjësia penale e të akuzuarve.
Prokurori Çerkini ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe t’iu shqiptohet dënim i paraparë sipas ligjit.
Tutje, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Azem Vllasi, avokati Nazuf Hasani në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se pa mëdyshje ekziston përgjegjësia penale e të pandehurve.
“Janë vërtetuar me prova të pakontestueshme se për motive të ulëta dhe duke qenë se pala e dëmtuar Azem Vllasi ishte i pambrojtur qëllimi i tyre ka qenë që ta privojnë nga jeta”, tha Hasani.
Hasani i ka propozuar gjykatës që në bazë të provave të vendos për gjykim meritor.
Ndërsa, i dëmtuari Azem Vllasi e ka përkrahur në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit dhe të përfaqësuesit të tij, duke shtuar se në këtë çështje nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese.
“Unë kam plot besim në vendimin e juj. Organizata terroriste Syri i Popullit është formu dhe ka ekzistu”, tha Vllasi.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Llumnica, avokati Naim Rudari fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke shtuar se prokurori i shtetit tani në këtë përfundim të këtij procesi gjyqësor do të duhej të përmblidhte prova konkrete dhe të pakontestueshme që argumentojnë kryerjen e veprës penale por që sot asnjë nga këto sipas tij nuk u përmenden.
Sipas tij, prokurori, i dëmtuari dhe përfaqësuesi i tij nuk arritën që të gjejnë një motiv, arsye apo qëllim që i mbrojturi i tij të ketë kryer këtë vepër penale.
Ndërsa, i akuzuari Llumnica e ka mbështetur në tërësi fjalën e mbrojtësi të tij, duke shtuar se qëndron pranë deklaratave të tij të dhëna në procedurat e deri tanishme.
“Unë ju garantoj që jam totalisht i pafajshëm për këtë proces për çka jam akuzuar, kam besim të plotë se trupi gjykues do të sjellë një vendim të drejtë. Ju e dëgjuat vet Azemin kur tha se asgjë si kam bo Avni Llumnicës andaj unë çfarë arsye kam pas me pas problem me një njëri që asniherë skam pas kontakt e se kam dit a sku jeton as qka bon”, tha i akuzuari Llumnica.
Më pas, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuari Sadri Ramabaja, avokati Ramiz Krasniqi duke shtuar se pas administrimit të provave kishte pritur që Prokuroria të heqë dorë nga aktakuza e ushtruar ndaj të mbrojturit të tij.
Ai tha se në këtë rast prokurori special nuk është krejtësisht i pavarur dhe se në këtë organ vlen parimi i majorizimit që sipas tij do të thotë se eprori vendos se a duhet hetuar ndonjë individ apo jo, a duhet hequr dorë nga ndonjë akuzë apo jo.
“Pra dilema e mbrojtjes është kjo: Kush është shefi real i Prokurorisë Speciale? Apo, të shprehem ndryshe, kush e kontrollon Prokurorinë Speciale të Republikës”, ka thënë Krasniqi.
I njëjti i ka propozuar gjykatës që në mungesë të provave, Sadri Ramabaja të lirohet nga akuza.
Fjalën e tij përfundimtare e ka përkrahur i akuzuari Ramabaja, i cili i dorëzoi trupit gjykues një libër të tij me titull “Liria pa heronj”, ku sipas tij aty ka dëshmi se si Azem Vllasi si bartës i projektit rus i akorduar me ish-presidentin e atëhershëm të Republikës së Serbisë kanë punuar në drejtim të realizimit të ashtuquajturës republika autonome e tipit rus.
Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli ka konstatuar dhe vlerësuar se çështja është zbardhur mjaftueshëm, ashtu që sipas tij nuk ka nevojë të administrohen prova të reja.
Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo ai pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.
Ndryshe, ky rast kishte marrë epilog në janar të vitit 2020, kur Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, por pas ankesave të ushtruara, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në pikën zero.
Duke vepruar konform rekomandimeve të Apelit, PSRK kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.
Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast.
Kjo pasi që PSRK hoqi dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.
Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.
Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohej për veprën penale të armëmbajtjes.
Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M.J, sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti kishte probleme shëndetësore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila kishte ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018 kishte ngritur aktakuzën e parë për këtë rast.
Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.
Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M.J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë M.J në kryerjen e veprës penale.
Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë tani të ndjerin M.J., e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.
Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri, tani i ndjeri M. J. kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës, në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me këtë, Llumnica thuhej se kishte kryer veprën penale “hakmarrje në ndihmë” nga neni 396, i Kodit Penal.
Llumnica sipas kësaj aktakuze, sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëjë seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.
Për këtë, Llumnica thuhet se ka kryer veprën penale “Dhunim” nga neni 230 i Kodit Penal.
Të pandehurit M.J., Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, thuhet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë, etj.
Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.
Ndërsa, i pandehuri, tani i ndjerë, M.J. thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.
Me këtë, ata sipas prokurorisë kishin kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144, i Kodit Penal.
I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohej edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.
Ndërsa, i ndjeri M.J. nga PSRK-ja, ngarkohej me veprat penale “hakmarrja” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria e akuzonte M.J. që duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit ‘91 dhe çështjes kombëtare.
Tutje, në aktakuzë thuhet se M.J., fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.
Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën të ndjerit M.J. dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, J. kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës, por iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.
Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te i ndjeri M.J ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.
Për këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.
Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.
Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Sipas aktgjykimit, atij do t’i llogaritej edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË, me targa te huaja.
Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet.
Të ndjerit M.J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.
Behxhet Luzha për moslajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.
Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.
Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.
Në aktvendimin e Apelit thuhet se “çështja penale kthehet në rivendosje për t’u proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”.
Ky aktvendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të re dhe me shumë ndryshime.