Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë duke u zhvilluar diskutime në mes të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtjes së të akuzuarve për (mos) pranim të dëshmisë së dëshmitarit 4647 sipas rregullit 154 të Rregullores së procedurës dhe provave.
Rregulla 154 përmban “Pranimi i deklaratave dhe transkripteve me shkrim në vend të pyetjeve të drejtpërdrejta”.
Prokurori James Pace tha se kanë njoftuar palët më 7 korrik se ata synojnë që të bëhet pranimi i dëshmisë së dëshmitarit 4746 sipas rregullit 154 dhe se nevoja ka buruar vetëm nga pozicioni i qartë i dëshmitarit në seancën përgatitore më 6 korrik.
Ai tha se në interes të drejtësisë do ishte më mirë dhe do të përdorej koha në mënyrë efikase nëse parashtrohet dëshmia e tij sipas rregullit 154.
Tutje ai tha se nuk cenohet asnjë e drejtë e mbrojtës pasi që mbrojtja i ka pasur shumë më në kohë dëshminë e dëshmitarit dhe se i njëjti do jetë i pranishëm për pyetje nga mbrojta dhe trupi gjykues.
Ai tha se kërkesa nuk është bërë në kohë të vonuar pasi kjo bëhet vetëm në mënyrë përjashtimore si dhe do të qojë në uljen e kohës.
Mbrojtësi i Thaçit, avokati Luka Misetic tha se kjo kërkesë është bërë me 6 muaj vonesë dhe nuk përmbush rregullin 154 dhe se sias tij, fakti se dëshmitari nuk dëshiron të thotë diçka më shumë, kjo s’do të thotë që deklarata të pranohet sipas këtij rregulli.
Po ashtu ai tha se ka shkelje pasi deklarata e tij është dhënë duke i thënë se është i dyshuar andaj nuk ka bazë as në ligj udhëzimet që i ka dhënë ZPS-ja.
‘‘Një i dyshuar mund të ketë motiv ta mbrojë veten andaj duhet të dëgjohet dëshmia e tij’’, tha ai.
Misetic konsideroi se nuk duhet të ketë shkurtim të kohës gjyqësore në nivelin e këtij rangu të dëshmitarit pasi sipas tij, dëshmitarët e tillë duhet patjetër të japin dëshmi të drejtpërdrejtë.
Ai tha se ZPS është duke kaluar barrën tek mbrojtja për sqarime dhe paqartësi të dëshmisë së dëshmitarit dhe për atë se çka ai ka dashur të thotë, andaj edhe e ka quajtur cenuese për mbrojtjen.
Më tej, mbrojtësi i Veselit, avokati Andrew Strong ka thënë se në materialin 300 faqesh, dëshmitari ballafaqohet me deklarata kontradiktore dhe jo të qarta dhe kjo është një punë që duhet bërë nga kundra-pyetjet, por duhet të mbështeten nga rrethanat e pyetjeve të ZPS-së.
Ai tha se do kërkojnë kohë për riorganizim pasi që dëshmitari është intervistuar si i dyshuar.
‘‘Taktikat janë të tilla që shërbejnë për të quar në përfundime të ndryshme, ka aspekte që nuk duhet lejohet të qohet në pranim të dëshmisë të tij sipas këtij rregulli’’, tha ai.
Kurse, mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts ka thënë se intervista me këtë dëshmitar është zhvilluar para 4 viteve dhe se ZPS është dashur ta bëjë këtë kërkesë para shumë kohës.
Duke qenë se ZPS ka pritur vetëm 3-4 ditë përpara, ai tha se kjo nuk duket aksidentale por bën që të detyrojë trupin gjykues ta pranojë këtë dëshmi me kërkesë të tyre.
Vet fakti se kërkesa duhet të paraqitet më herët rreth 5 muaj, avokati Roberts tha se duhet kohë e përshtatshme për shqyrtim dhe se kjo nuk është mënyra se si duhet të procedohet më tej.
Ndërkaq, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Aidan Ellis tha se parashtrimi është bërë shumë me vonesë dhe se përderisa janë përgatitur me muaj që dëshmia e dëshmitarit të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, e gjitha puna e tyre ka shkuar dëm.
Ai tha se kjo gjë e bërë në momentin e fundit është paragjykuese dhe cenuese dhe se tha se këto nuk janë dëshmi që pranohen sipas rregullit 154 për shkak të rëndësisë së tyre.
‘‘Dëshmitari është në nivel të komandantit të zonës dhe është ndër të paktët dëshmitar të këtij niveli, është përmendur mbi 30 herë në dosjen paraprake dhe dëshmitari është marr në pyetje si i dyshuar dhe natyra e intervistës në fjalë kërkon që të merret dëshmia e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë’’, tha tutje ai.
Më tej edhe prokurori Pace kundërshtoi këto parashtrime duke thënë se dëshmitari vetëm ka konfirmuar saktësinë e deklarimeve të tij të mëparshme dhe se interesi i drejtësisë ka të bëjë me efikasitetin e procedurës, që të mos të përsëris në mënyrë identike informacionet që i ka dhënë më herët.
Ai konsideroi se pranimi i 300 faqeve material është shumë më e lehtë për mbrojtjen dhe se për çdo gjë ata kanë të drejtë të bëjnë pyetje për sqarim të paqartësive.
‘‘Mbrojtja i ka pasur për vite këto materiale, dhe nëse bëhet shtyrja duhet të bëhet pasi të pranohet materiali si provë’’, tha ai.
Lidhur me këtë, trupi gjykues tha se do të vendosim sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër gojor lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për paraqitjen e informacioneve lidhur me paraqitjen e 4 dëshmitarëve rezervë për muajin korrik e që trupi gjykues ka thënë se mbrojtja e ka gjithë informacionin për 12 dëshmitarët, kurse për dëshmitarët rezervë nuk sheh se duhet të jepen informacione më të detajuara për ta.
Ai po ashtu dha urdhrin tjetër gojor lidhur me dorëzimin e faqes së fundit të një dokumenti nga ana e mbrojtjes së Thaçit ku tha se dokumenti është dokument i pranuar si i tërë.
Ndryshe, seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit 04337 të cilit iu paraqiten disa dokumente (jo për publikun), e që konfirmoi në disa raste nënshkrimet e tij e në disa raste se kishte dhënë dëshmi për çështje të caktuara gjyqësore.
Si dhe, dëshmitari konfirmoi se kishte pasur takime me ZPS-në dhe se iu kishte dhënë mundësia për sqarime dhe korrigjime të dëshmive të mëparshme duke shtuar se ato pasqyrojnë informacione të sakta dhe të plota.
Seanca është duke vazhduar në sesion privat për disa pyetje të ZPS-së për këtë dëshmitarë.
Në një pjesë të seancës, dëshmitari është larguar nga salla pasi që mbrojtja e Selimit ka kundërshtuar dy paragrafë të shënimit njoftues të ZPS-së, duke thënë se janë informacione të reja që shkojnë përtej sqarimeve të deklaratave të mëparshme e të cilat akuzojnë të akuzuarin Selimi.
Kjo është kundërshtuar nga prokurori Pace i cili tha tha se informacioni në paragrafin 58 rrjedh nga dy fragmente nga deklarata të mëparshme të pranuara kurse, informacioni në paragrafin 64 pavarësisht se nuk është diçka që është pjesë e dosjes paraprake dhe aktakuzës është informacion i vullnetshëm nga dëshmitari.
Ndërkaq, avokati Roberts tha se është informacion i vonuar i cili është dashur të nxjerrët më herët nga dëshmitari si dhe sipas tij prokuroria po mundohet të shtojë informacione përmes njoftimeve përgatitore.
Një gjë të tillë e kundërshtoi ZPS-ja kurse lidhur me këtë, trupi gjykues tha se do të vendos gjatë pushimit të kafes.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi/