Rasti i rëndë në Ferizaj, gjinekologia jep detaje: Foshnja kishte shenja të ngufatjes

Gjinekologia Minire Alilaj nga Ferizaj ka dhënë detaje lidhur me rastin tragjik të foshnjës që vdiq pas lindjes në Emergjencën e Ferizajt.

Ajo tha se pacientja me inicialet F.M., nga Prelezi kishte shkuar në spital bashkë me familjarët e saj, me ankesa për obstipacion dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, ndërsa menjëherë kishte kërkuar të hynte në tualet, ku më pas kishte kryer lindjen.

“Pacientja me inicialet F.M. nga Prelezi ka ardhur në Emergjencën e Ferizajt me ankesa për obstipacion dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, e shoqëruar nga motra, nëna dhe babai. Menjëherë pasi ka ardhur, ajo ka kërkuar të hyjë në tualet, ku më pas ka kryer lindjen.”, tha Alilaj.

Sipas saj, dera e tualetit është hapur më vonë nga jashtë nga stafi, ndërsa foshnja është gjetur në një shportë, e ndarë nga kordoni ombilikal nga vetë pacientja.

Pastaj dera është hapur nga jashtë nga stafi dhe familjarët. Kur kanë hyrë brenda, foshnja është gjetur në një shportë, e ndarë nga kordoni ombilikal nga vetë pacientja”, shtoi ajo.

Mjekja tutje bëri të ditur se në vendngjarje ka qenë edhe neonatologia kujdestare, e cila kishte konstatuar se foshnja ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Foshnja ka qenë në hipotermi, e ftohtë, me tonus nën 100 dhe saturim nën 60. Është tentuar reanimimi emergjent, por foshnja nuk ka arritur të mbijetojë”, deklaroi ajo.

Sipas raportimeve të neonatologes, foshnja kishte shenja të ngufatjes dhe kishte qëndruar për një kohë në tualet në temperaturë të ulët.

“Janë ndërmarrë menjëherë procedurat e reanimimit, por foshnja nuk ka arritur të mbijetojë. Sipas neonatologes, foshnja kishte shenja të ngufatjes dhe dyshohet se pacientja i ka lëshuar ujë në banjo, duke e ftohur shumë foshnjën”, shtoi ajo.

Gjendja shëndetësore e pacientes Alilaj tha se është stabile. /rtv21