Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur të dielën në Graçanicë, ku ka ndodhur një përleshje fizike, në të cilën kanë qenë të përfshirë pesë persona – tre prej të cilëve zyrtarë policorë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë e dije se rasti ka ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët policorë ishin jashtë detyrës zyrtare, të cilët dyshohen se janë kapur me të dyshuarit e tjerë, për motive akoma të panjohura.
Sipas informacioneve të para, tre policët e dyshuar dhe dy personat e tjerë kanë qenë nën ndikimin e alkoolit kur janë përleshur mes vete dhe për pasojë njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore.
Lidhur me rastin, është vënë në dijeni Prokurori i Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me ç’rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit e tjerë të përfshirë në rast janë dërguar në mbajtje.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, por s’janë dhënë detaje për policët e dyshuar – teksa Sinjali është në pritje të një përgjigje edhe nga IPK.
“Është raportuar se ka ndodhur një përleshje fizike në të cilën kanë qenë të përfshirë pesë persona të gjithë meshkuj kosovarë të cilët kanë qenë nën ndikim të alkoolit, ku si pasojë njëri nga personat ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë informuar autoritetet kompetente ku dy prej të dyshuarve të përfshirë në rast janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.”