Mediat serbe po raportojnë për vjedhje në zyrat e UNMIK-ut në ndërtesat komunale në Leposaviq dhe Zubin Potok.
Sipas “Kosovo Online”, nga aty janë vjedhur mobiljet, një frigoriger e sende tjera.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani i tha Gazetës Express se zyrat e UNMIK-ut atje ishin thyer gjatë majit, kur disa serbë kishin protestuar dhunshëm ndaj policëve të cilët po i asistonin kryetarët shqiptarë për t’u futur në objektet komunale.
“Ato janë dëmtuar gjatë majit. Nuk kemi diçka tjetër”, tha Elshani.
“Kosovo Online” raporton se zyrtarët e UNMIK-ut shkuan të hënën për t’i vizituar zyrat dhe se Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka konfirmuar vjedhjen.
“Qasja e UNMIK-ut në zyrat e vendosura në ndërtesat komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq është kufizuar që nga incidentet në maj të vitit 2023. UNMIK-u ka vizituar zyrat e tij në disa raste për të rimarrë disa nga pronat e tij dhe për të vlerësuar objektet me mbështetjen e KFOR-it dhe në koordinim me autoritetet e Kosovës. UNMIK-u ua shprehu shqetësimin autoriteteve të Kosovës për hyrjen e paautorizuar në objektet e tij dhe përkujtoi se objektet dhe prona e Kombeve të Bashkuara janë të pacenueshme dhe se qasja në ato objekte duhet të mbrohet dhe garantohet gjatë gjithë kohës”, citohet t’i kenë thënë nga UNMIK-u mediumit serb.