Në Policinë e Kosovës gjatë së martës janë raportuar tri raste të falsifikimit të parave.
Sipas njoftimit të policisë, njëri rast ka ndodhur në Prishtinë, ku rreth orës 10:32 një person ka raportuar se ka hasur në një kartëmonedhë prej 50 euro që dyshohet se është e falsifikuar.
“Prishtinë 01.11.2022-10:32. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ka hasur në një kartëmonedhë prej 50€ për të cilën dyshohet se është e falsifikuar”, thuhet në raportin policor.
Bankënota e lartcekur është konfiskuar si dëshmi materiale, ndërsa lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar.
Rasti tjetër ka ndodhur në Graçanicë, ku rreth orës 14:11 është raportuar se një klient ka deponuar një kartëmonedhë prej 500 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar.
“Graçanicë 01.11.2022-14:15. Është raportuar se një klient ka deponuar një kartëmonedhë në vlerë prej 500 €, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar”, thuhet në raportin policor.
Kartëmonedhë është konfiskuar nga policia për veprime të mëtejshme hetimore.
Ndërsa, në Gjakovë rreth orës 01:12 një person i dyshuar kishte tentuar të bëjë një pagesë me kartëmonedhë prej 100 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
“Gjakovë 01.11.2022- 01:22. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se një person i dyshuar kishte tentuar që të bëjë pagesën me një kartëmonedhë prej 100 €, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar”, thuhet më tej në raport.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë relevante dhe në konsultim me Prokurorin Kujdestar iniciohet rasti ‘Falsifikim i parasë’.