Raporti për anëtarësim në KiE: Kosova ftohet si shtet e jo si vend, hiqet edhe fusnota

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, tha se opinioni, ndër hapa të tjerë të rëndësishëm për trajtimin e Kosovës si shtet të barabartë me të gjitha shtetet e tjera, kërkon largimin e fusnotës, e cila që nga viti 2008 është përdorur gjithmonë kur është përmendur Kosova në Këshillin e Evropës.

Postimi i plotë i Gërvallës

Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë. Ky është me pak fjalë rezultati i votimit që u mbajt sot në Paris, në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe ku para pak minutash u miratua me shumicë mbresëlënëse votash opinioni, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë. Të gjitha propozimet e sotme për vendosjen e parakushteve të ndryshme janë refuzuar.

Raporti i aprovuar sot rekomandon që Kosova, bazuar në nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës të ftohet si shtet (state), e jo si vend (country).

Tani është e hapur rruga për votimin në Asamblenë Parlamentare , i cili mbahet në mesin e muajit prill.

Suksesi i sotëm, si të gjitha sukseset e mëdha të Kosovës, është rezultat jo vetëm i punës së palodhur të institucioneve të Republikës sonë dhe mbështjetjes kolosale të miqve të shumtë të Kosovës.

Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës! Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

P.S. Opinioni, ndër hapa të tjerë të rëndësishëm për trajtimin e Kosovës si shtet të barabartë me të gjitha shtetet e tjera, kërkon largimin e fusnotës, e cila që nga viti 2008 është përdorur gjithmonë kur është përmendur Kosova në Këshillin e Evropës.