​Raporti i Progresit, opozita kritikon qeverinë për ngecje në zhvillim ekonomik të vendit

Opozita ka kritikuar Qeverinë e Kosovës sa i përket regresit që ka shënuar në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën të publikuar gjatë kësaj jave. Sipas tyre, vendi ka shumë punë për të bërë, krahasim me vendet e rajonit, teksa shtojnë se, edhe në raport theksohen ngecjet sa i përket zhvillimit ekonomik.

Për dallim nga opozita, deputetë të partisë në pushtet, mburren me gjetjet e këtij raporti, duke e vlerësuar si raportin më të mirë që ka pas ndonjëherë vendi.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa thotë se vendi ka shënuar regres sa i përket zhvillimit ekonomik të evidentuar edhe në Raportin e Progresit. Megjithatë, ai shton se nuk është prit diçka më shumë nga veprimet e kësaj qeverie.

“Nuk është prit diçka më shumë nga një qeveri e cila bënë veprime jo serioze dhe nuk ka pas një strategji as të zhvillimit ekonomik, po as të luftimit të korrupsionit, po as në raport në marrëdhëniet me aleatet”, thotë Beqa.

Edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami derisa ka renditur ngecjet që janë pasqyruar në raport, ka thënë se në raportin për vendin që është publikuar, sërish thuhet se 13.5 për qind e gjitha kontratave publike janë pa publikim të njoftimit për kontrata një burimore.

Ndonëse ka theksuar se Kosova po hyn në vitin e dytë të sanksioneve.

“Raporti i progresit, duhet cekur që mbi të gjitha Kosova po hyn në vitin e dytë të sanksioneve, për herë të parë në historinë e pas luftës, dhe pas pavarësisë, Republika e Kosovës tani më ka më shumë se 15 muaj që është e sanksionuar nga Bashkësia Evropiane. Andaj, për çfarëdo progresi tjetër që mund të flasim do të jetë e kotë. Raporti i Progresit është shumë përsëritje të gjeturave dhe të viteve paraprake, ka progres tepër të limituar në disa fusha, mirëpo flitet për ngecje sa i përket zhvillimit ekonomik, ngecje sa i përket hendekut në mes të arsimit dhe tregut të punës. Po ashtu ngecjeve në reformën e drejtësisë, është pavarësia e gjyqësorit e cila është cekur si problematike, sërish thuhet, ka qenë në vitin e kaluar numri i kontratave të mëdha njëburimore, ka qenë alarmi i parë për kontratat një burimore, që ka dhënë Raporti i Progresit. Në raportin që është publikuar, sërish thuhet se 13.5 për qind e gjitha kontratave publike janë pa publikim të njoftimit për kontrata apo një burimore. Kosova ka shumë punë për të bërë dhe po konsideroj se derisa të tjerët, vendet e rajonit po ecin me hapa shumë të shpejtë, ne po humbim kohë dhe kemi ngelur mbrapa”, thotë Bajrami.

Edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë për KosovaPress se nga të gjeturat e raportit për vendin dalin në pah ngecjet që ka Kosova.

“Sa i përket Raportit të Progresit, ne në sipërfaqe e kemi parë, nga ajo që e kemi parë ka vërejtje serioze, sa i përket funksionimit dhe ka regres e jo progres, ka çështje me rendësi të veçantë që kemi ngecur mjaft, sa i përket arsimit, luftës ndaj korrupsionit e shumë gjëra tjera. Dhe mund të them se kjo qeveri nuk e ka përmirësuar as jetën e qytetarëve, por as nuk ka bërë reforma institucionale”, thotë Lekaj.

Në anën tjetër, nga pozita mburren me të gjeturat e Raportit të Progresit. Deputeti nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja thotë se nuk ka regres në asnjë sferë, siç ka qenë e zakonshme në Kosovë. Ai ka renditur progresin e shënuar në vend.

Është raporti më i mirë ndonjëherë që ka marrë Kosova, atë duhet të shihni në dritën e metodologjisë së tij. Pra, fillimisht janë katër, pesë blloqe, dhe gjithë kapitujt, fillimisht nuk ka regres në asnjë sferë, siç ka qenë e zakonshme në Kosovë, dhe e dyta është aty ku ka progres të mirë, në shumë fusha është më i madh se që ka qenë më herët. Raporti i progresit potencon që Kosova ka pas një rritje të fuqishme ekonomike, Kosova ka pas një performancë të mirë tek politikat sociale dhe të punësimit, ka pas një performancë të mirë tek turizmi, transformimi digjital e po ashtu tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë Muja.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas pranimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, ka kërkuar sërish nga Bashkimi Evropian heqjen e masave ndaj Kosovës.

Bislimi ka thënë se Kosova do të zbatojë rekomandimet e dala nga raporti pavarësisht masave të BE-së, duke shtuar se raporti për këtë vit tregon se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së.

Pas takimit me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, Bislimi ka thënë se raporti vetëm në dy kapituj evidenton mungesën e progresit. Ndërsa, ka nënvizuar se në agjendën e integrimit evropian Kosova është vlerësuar për prioritizimin politik që i është bërë këtij procesi.