Bashkimi Evropian së fundmi ka hartuar Raportin e Progresit për Kosovën, ku në shumicën e fushave që mbulon ky raport konstatohet se Kosova ka ende shumë punë për të bërë në procesin e reformave, sidomos në administratën publike, për të arritur progres.
Raporti përmend edhe çështjen e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Ky raport do t’i dorëzohet sot kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Raporti kërkon që procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të përsëritet.
“KPK duhet të përsërisë shpejt procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, duke respektuar parimet e transparencës dhe meritokracisë”, thuhet në Raportin e Progresit të BE-së, transmeton Telegrafi.
Përsëritjen e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit e ka kërkuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
Më 17 tetor 2023, në një konferencë për medie, Osmani bëri të ditur se e ka njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës se duke u bazuar në shkeljet që janë evidentuar në proces, nuk mund ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Raporti i Progresit thekson se funksionimi i KGJK-së dhe KPK-së është adekuat, por përbërja e tyre e plotë duhet të sigurohet vazhdimisht.
Më tej aty përmendet se “Kosova ka një strategji për sundimin e ligjit për 2021-2026, por plani i veprimit për 2024-2026 është i vonuar. Zbatimi dhe monitorimi i dokumenteve strategjike ka nevojë për përmirësim”
Raporti përmend faktin se se pavarësisht këshillave të forta nga Bashkimi Evropian, Komisioni i Veneciar nuk u konsultua nga qeveria për paketën e reformës legjislative.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte thënë se KPK-ja duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm, në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë, për të rikthyer besimin e publikut dhe partnerëve ndërkombëtar në KPK si institucion publik.