Raportet Kosovë-serbë lokalë, ICG rekomandon “rrugë alternative” nëse s’bëhet Asociacioni

“International Crisis Group” ka publikuar të martën një artikull lidhur me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për situatën në Veri të Kosovës. Siç shkruhet në këtë publikim, Kurti që nga marrja e detyrës së kryeministrit në vitin 2021, ka ndezur tensionet në katër komunat e banuara më shumicë serbe.

Sipas “Crisis Group”, refuzimi i Kosovës për t’iu dhënë autonomi serbëve në Veri dhe refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës janë dy çështjet kryesore që vazhdojnë të qëndrojnë në mes të mospajtimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Si rezultat i mosgjetjes së një zgjidhjeje për këto çështje, “Crisis Group” shkruan se Kosova dhe Serbia kanë ushtruar një formë të mbivendosjes së sovranitetit në Veri, me Serbinë që ofron arsim, shëndetësi dhe Kosova që është përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe gjykatat. Megjithatë “Crisis Group” shkruan se shihet qartazi që kryeministrin Albin Kurti e ka humbur durimin me këtë mënyrë të funksionimit të Veriut.

“Ndër të tjera, ai ka vendosur policinë e armatosur rëndë në rajon, ka vendosur një embargo ndaj mallrave serbe që u duhen banorëve, ka dëbuar institucionet serbe dhe ka ndaluar përdorimin e monedhës serbe. Qeveria e tij i ka justifikuar këto hapa pjesërisht duke përmendur kërcënimet e sigurisë, më së fundi në formën e paraushtarakëve serbë të cilët zbuloi se sillnin armatim të nivelit ushtarak nga Serbia në shtator 2023”, shkruan artikulli.

Në këtë artikull shkruhet se si rezultat i presionit të vazhdueshëm “10 % e serbëve të Kosovës kanë emigruar gjatë vitit 2023”. Sipas vlerësimit të kësaj organizate, 1/3 e popullsisë serbe janë larguar në tetë vitet e fundit dhe sipas “Crisis Group” kjo gjë është shqetësuese si për zhgënjimin që shpërfaqë por edhe për shkak se minon rrugën më të besueshme drejt normalizimit, në të cilën Kosova do t’iu jepte serbëve vetëqeverisje të konsiderueshme në këmbim të njohjes de-facto apo de-jure nga Serbia.