Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vizita e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken tregon se SHBA e konsideron Shqipërinë një vend të rëndësishëm dhe ka një konsideratë të veçantë për rolin e Shqipëria ka marrë përsipër të luajë në rajon.
“Angazhimi i fundit në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria ka marrë një falënderim jashtëzakonisht domethënës nga përfaqësuesja e Shtetit të Bashkuara, ambasadorja në atë tryezë për kontributin e veçantë. Sigurisht që kjo vizitë lidhet edhe me një besim shumë të fortë të aleatëve tanë strategjikë tek Shqipëria, tek pesha e Shqipërisë sot në rajon dhe patjetër edhe me një konsideratë të veçantë për rolin e Shqipëria ka marrë përsipër të luajë në rajon si një vend me dorën e shtrirë të miqësisë për të gjitha shijet e lagjes sonë Ballkanike në mes të Evropës”, tha Rama në ATV.
Ai tha se Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar.
“Sot Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar, falë edhe një sërë hapash shumë të rëndësishëm që ne kemi bërë në politikën tonë të jashtme, por edhe një sërë angazhimesh të paimagjinueshme, deri kur ka ndodhur, të Shqipërisë në tryezat më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare”, tha Rama.