Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.
“Dje i kam përcjell një draft të Asociacionit, Macronit dhe Scholzit. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit të lartë, është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”, ka deklaruar Rama para gazetarëve në Shqipëri.
“Ju siguroj që është një dokument i nivelit të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës. Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për ta çuar një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogu dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, ka shtuar ai.
Rama ka thënë se është i shqetësuar sipas tij për tkurrjen e Kosovës në sytë e aleatëve.
“Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën në vitin 1999. Dua sukses për Kurtin dhe Kosovën”, ka theksuar ai.