Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar projektin fitues për dizajnimin e çerdheve dhe kopshteve në Lagjen Kolovicë.
Ai ka thënë se ky projekt sjellë frymë të re në krijimin dhe realizimin e çerdheve dhe kopshteve.
Rama ka bërë të ditur se projekti është krijuar nga arkitektët Serhat Sen, Kemal Tas, Dilara Akdemir, Alican Tugenkoglu dhe Ramiz Laçi.
“Ngrehina është vendosur në një nga kodrinat e parcelës është dizajnuar mbi idenë e dizajnit që sheh nga brenda. Përmes krijimit të një shiriti të gjelbër në fasadë, ne kemi pasur për qëllim ta shfrytëzojmë dheun i cili do të zhvendoset për ndërtim. Hapësirat funksionale përfshijnë zyrat, depotë dhe dhomat teknike, të vendosura në të dy anët e hyrjes. Në holl, ana e majtë të çon tek ndarjet e kujdesit ditor, të lidhura me një atrium dhe një kopsht të jashtëm, të cilin e kemi quajtur “Kopshti i qetë”. Ngjitur, në anën e djathtë të hollit është korridori i lojërave, që të çon tek kopshti. Kjo hapësirë ka disa oborre të brendshme, njëri prej të cilëve është më i madh se të tjerët, brenda të cilit është një amfiteatër i cili është i ndërlidhur me me çatinë. Po ashtu, një hapësirë tjetër e përbashkët, e ndërlidhur me ato të kopshtit, e cila zgjerohet në një oborr të brendshëm”, ka shkruar Rama.