Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një seancë në Kuvendin e Shqipërisë po flet për sulmin e 24 shtatorit të ndodhur në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Rama ka treguar se si Shqipëria ka kërkuar një deklaratë të dytë të Bashkimit Evropian pas ngjarjes së Bansjkës meqë Tirana zyrtare s’mund të qëndronte në një linjë me deklaratën e mëparshme të BE-së që i drejtohej vetëm Kosovës.
Rama ka thënë se nuk është gjë e vogël që një shtet kandidat për anëtarësim të mos linjëzohet me politikën e jashtme të BE-së por ka shtuar se s’është as ndonjë heroizëm.
Kryeministri shqiptar ka thënë se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA_së dhe viktizimi diplomatik i Serbisë falë “dhuratave politike” të marra nga gabime te Kosovës po ia vështirësojnë Shqipërisë punën.
Ai tutje ka treguar se bashkë me presidenten Osmani gjatë Samititet të Komunitetit Politik Evropian kanë kërkuar tek liderët e pranishëm për një qëndrim adekuat të BE-së për sulmin e ndodhur në Banjskë.
Rama ka potencuar se Serbia mban përgjegjësi të madhe për sulmin, meqë jo vetëm që nuk e dënoi agresionin por e mbuloi atë edhe me flamurin kombëtar të zisë.
“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ata sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën e kemi vazhduar në çdo instancë dhe çdo rrethanë. Këtë e bëmë edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku bashkë me presidenten Osmani kemi folur me aktorët politikë për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm, sepse Beogradi mban një përgjegjësi të madhe, përderisa jo vetëm që nuk e dënoi agresionin, por e mbuloi me flamurin kombëtar të zisë, përderisa nuk shpalli thirrjen për hetim, bashkë me të gjitha forcat e përfshira në procesin e normalizimin”, ka thënë Rama./Express/