Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
Ai ka thënë se asnjë fjalë s’i vjen në këtë moment dhe e ka ribotuar një mesazh të publikuar për ditëlindjen e tij.
Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.
Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…