Rama mbërrin në aeroportin e Ankarasë, nis vizitën zyrtare në Turqi

Kryeministri Edi Rama mbërriti sot në aeroportin ndërkombëtar të Ankarasë, Turqi, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për vizitën dypalëshe dhe takimin e Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë mes dy qeverive.

Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama do të jetë në Anitkabir, Mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut, lideri i Luftës Turke për Pavarësi dhe themeluesi e Presidenti i parë i Republikës së Turqisë.

Pas ceremonisë së veçantë të mikpritjes që do të mbahet në Presidencën e Republikës së Turqisë, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Erdogan do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.

Më pas, Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan do të drejtojnë mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive. Në nisje të mbledhjes Kryeministri Rama do të drejtohet me një fjalë përshëndetëse.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë do të nënshkruhen në vijim disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj.

Në përfundim të vizitës, Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan do të komunikojnë për mediet deklaratën e përbashkët për shtyp.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar janë dhe zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku; ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani; ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi; ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj; ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu; ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu; si dhe ministrja i Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Shiko videon: https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fvideos%2F1556064131858647