Rama i “bindet” Kurtit, i çon marrëveshjet e firmosura: Shpresoj të konfirmojë takimin pas heqjes së merakut

Kryeministri Edi Rama ka bërë një hap para për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në kuadër të turit në vendet e Ballkanit.

Duke qenë se kryeministri i Kosovës tha se nuk ka pse të ketë asnjë takim tjetër me Ramën përveç asaj në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u anulua, kreu i qeverisë shqiptare ka reaguar sot përmes një postimi në Twitter ku shkruan se marrëveshjet nga ana qeverisë shqiptare janë firmosur dhe i janë dorëzuar ministrisë së Jashtme të Kosovës. Përmes këtij akti, Kryeministri Edi Rama shkruan se tashmë pret konfirmimin e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për t’u takuar gjatë pasdites në Prishtinë.

“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”.

Kujtojmë se një ditë më parë, Kurti tha se me Ramën pret që të takohet vetëm në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive për të firmosur marrëveshjet dhe jo në rrethana të tjera. Kreu i qeverisë shqiptare do të jetë në Kosovë pasdite në kuadër të turit të tij 2-ditor në Ballkan. Takimi me Kurtin është në statusin e “pritjes për konfirmim” nga ana e Kryeministrit të Kosovës.

Nëse do të ndodhë, takimi mes Kryeministrave Rama-Kurti është parashikuar pas takimit me Presidenten Osmani dhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.