Kryeministri shqiptar thekson se nuk është në garë me VV-në dhe se ka folur gjithmonë për çështjen e Hagës, duke kundërshtuar akuzat e Lëvizjes për qëndrimet e tij të mëparshme.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, pas një komunikate të kësaj të fundit për protestën e parashikuar nesër në Tiranë, ku qytetarët do të kërkojnë drejtësi për krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Në komunikatën e lëshuar dje, VV kishte sulmuar Ramën, duke thënë se para se të protestojnë, politikanët duhet të tregojnë një “minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën”. Vetëvendosje kujtoi se Rama kishte ardhur më parë në Kosovë me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të Gjykatës Speciale, sipas Reporteri.net.
Në reagimin e tij, Rama u shpreh se nuk është në garë me VV-në për balotazhin, dhe theksoi se ka folur gjithmonë për çështjet e Hagës kur ka pasur rastin.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se para 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim,” tha Rama, duke shtuar se nuk është organizator ose folës i protestës “Drejtësi për Çlirimtarët”, por do të mbështeste iniciativën si pjesëmarrës i thjeshtë, pa politizuar nismën.
Rama theksoi gjithashtu se Gjykata Speciale u ngrit për çështje të trafikut të organeve dhe jo për të “marrë peng” Presidentin e Kosovës, duke kundërshtuar akuzat e VV-së dhe duke vënë në dukje se çdo politizim i protestës mund të dëmtonte qëllimin e saj.