Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Arben Ratkoceri ka zbuluar ditën e sotme se takimi mes Kryeministri Rama dhe homologu i tij Kosovar Albin Kurti, do të realizohet.
Sipas tij, në orën 16:00 Rama dhe Kurti do të zhvillojnë takimin që ky i fundit e refuzoi pasi tha se s’kishte pse ta realizonte kur u anulua mbledhja e dy qeverive.
Gazetari është shprehur se sipas tij konflikti më i madh i zotit Kurti me zotin Rama, ka filluar që nga Open Balkan, ku zoti Kurti ka qenë shumë kundër kësaj iniciative dhe ajo që po shihet është se zoti Kurti ka pasur të drejtë në këtë temë.
“Informacionet e fundit thonë se ata do të kenë një takim rreth orës 16:00 në Prishtinë. Arsyeja e refuzimit për t’u takuar duhet të jetë më e thellë se anulimi i mbledhjes mes dy qeverive. Po, u përdor ndoshta ky si pretekst. Ai konflikti më i madh i zotit Kurti me zotin Rama, besoj që ka filluar që nga Open Balkan ku zoti Kurti ka qenë shumë kundër kësaj iniciative dhe ajo që po shihet është se zoti Kurti ka pasur të drejtë në këtë temë. Në ndërkohë që dhe anulimi i mbledhjes së dy qeverive, edhe pse nuk ka pasur ndonjë arsyetim nga Tirana zyrtare se përse erdhi deri te kjo, në ndërkohë kjo ndërlidhet me disa zhvillime në Kosovë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës”, u shpreh Ratkoceri në një intervistë për Euronews Albania.
Kryeministri Rama ka nisur ditën e sotme turin e tij në Ballkanin perëndimor, në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit.
Në datën 7 korrik, Rama do të vijojë turin e tij në Bosnjë Hercegovinë, më pas në Malin e Zi dhe e përfundon me Serbinë.
Por kujtojmë se një ditë më parë, Kurti tha se me Ramën pret që të takohet vetëm në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive për të firmosur marrëveshjet dhe jo në rrethana të tjera.
Ndërsa Kryeministri Rama ka njoftuar se qeveria shqiptare ka dorëzuar mëngjesin e sotëm në Ministrinë e Jashtme të Kosovës për të firmosur 13 marrëveshjet e mbledhjes së përbashkët mes 2 qeverive.
Ai ka publikuar dhe një foto ku shihet duke firmosur marrëveshjet në aeroport.