Presidentja e KE-së ka nisur turin ballkanik, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Shqipërinë e zgjodhi si ndalesën e saj të parë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencë për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen tha se “nisja e negociatave, një sfidë që vjen sa bëhet më e vështirë”.
“Jemi shumë të vendosur t’ia dalim. Janë një sërë detyrash, janë mijëra. Detyra që duhet të përkthehen në ligje, akte nënligjore por dhe në prova të zbatimit”, theksoi kreu i qeverisë.
Ky i fundit vijoi duke thënë se “sot keni ardhur në Shqipëri pasi tani Shqipëria është ulur në tryezën e negociatave për negocim dhe ka hapur grup kapitullin e parë duke hyrë në fazën e re, dhe kur të vini përsëri në konferencën duam të vini duke thënë ne duam anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
“Ne jemi shumë të vendosur në këtë, skuadra jone e negociatave ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur”.
Presidentja e KE-së ka nisur turin ballkanik, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Shqipërinë e zgjodhi si ndalesën e saj të parë.
Ndërsa, rreth orës 17:00, Presidentja Von der Leyen dhe kryeministri Rama do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Kolegjit të Evropës, një moment i rëndësishëm për bashkëpunimin akademik dhe kulturor ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.
Më 24 tetor, agjenda e Von der Leyen do të përfshijë një takim zyrtar me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
Vazhdimi i turit në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vende të tjera
Pas vizitës në Shqipëri, Von der Leyen do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të takohet me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova. Vizita e saj atje do të zgjasë gjysmë dite, dhe më pas ajo do të udhëtojë në Bosnjë dhe Hercegovinë për të inspektuar zonat e prekura nga përmbytjet dhe për të zhvilluar një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.
Në datën 25 tetor, Von der Leyen do të vizitojë Serbinë, ku do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Milos Vuçeviç, ndërsa më 26 tetor, vizitat do të përfshijnë Kosovën dhe Malin e Zi.
Në Kosovë, ajo do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ndërsa në Malin e Zi do të zhvillojë takime me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.
Ky tur diplomatik shënon një pikë kyçe për Ballkanin Perëndimor, duke qenë se ai përkon me përpjekjet e vendeve të rajonit për t’u integruar në BE. Ursula von der Leyen do të diskutojë reformat e nevojshme dhe mbështetjen financiare që BE-ja ofron për rajonin përmes Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh.
Ky plan synon përmirësimin e infrastrukturës, ekonomisë dhe stabilitetit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të përshpejtohet rruga e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Vizita e Presidentes së KE-së pritet të nxisë më tej dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit, duke përforcuar mbështetjen për reformat demokratike, shtetin e së drejtës dhe integrimin ekonomik.
Komisioni Evropian miratoi të mërkurën e 23 tetorit Agjendat e Reformës për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
“Agjendat u përgatitën nga qeveritë në Ballkanin Perëndimor, duke përshkruar reformat kryesore që do të bëhen në vitet e ardhshme”, thekson njoftimi zyrtar i institucionit evropian.
Në agjendat e tyre ambicioze të reformave, pesë qeveritë e Ballkanit Perëndimor angazhohen për reforma socio-ekonomike dhe themelore që do të ndërmarrin për të nxitur rritjen dhe konvergjencën me BE-në sipas Planit të Rritjes gjatë periudhës 2024 – 2027, vijon deklarata zyrtare.
Sipas KE-së, ky hap ishte kyç për të lejuar pagesat në kuadër të Facilitetit të Reformës dhe Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së, që do të bëhen pas përfundimit të hapave të miratuar të reformës.
“Jam e impresionuar nga puna e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në agjendat e tyre të reformës. Kjo tregon se ata janë të përkushtuar ndaj suksesit të Planit të Rritjes. Është udhërrëfyesi ynë për t’i afruar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tonat. Dhe për t’u dhënë kompanive të tyre aksesin dhe mjetet për të konkurruar në tregun tonë të vetëm”, u shpreh presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.
Shefja e Unionit shtoi se “të gjithë përfitojnë dhe është një hap i madh përpara drejt Bashkimit Evropian”.
Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi zbuloi më herët se pagesat e para pritet të lëvrohen brenda këtij muaji.
“Këto agjenda reformash janë miratuar nga Këshilli (Evropian – ed.) javën e kaluar. Kështu që në thelb parashikojmë që pagesat e para të lëvrohen brenda këtij muaji. Ky është plani. Kjo nënkupton edhe që koha në fakt po ecën që vendet të vazhdojnë reformat në mënyrë që të lëvrojmë dhe pagesat e mëtejshme”, tha zyrtari evropian.
Vendet e Bashkimit Evropian miratuan më herët agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, konfirmoi Presidenca hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Komisioni i IPA-s dha pëlqimin po ashtu për agjendat e reformave të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.
Më në detaje
Shqipëria mund të jetë përfituese e një shume të majme investimesh në vlerë rreth 922 milionë euro nga Plani i Rritjes.
Si shumë parafinancuese për Shqipërinë, vlerat pritet të jetë në shifrën e 64.5 milionë eurove.
Nga ana tjetër, Kosova në tërësi pritet të përftojë një shumë rreth 880 milionë euro, ku nga këto, rreth 250 milionë pritet të ndahen në formë grantesh dhe pjesa tjetër si kredi.
Maqedonia e Veriut ndërkaq do të ketë një fond të alokuar rreth 750 milionë euro, ku parafinancim do të jetë një shumë prej 52 milionësh.
Shumën më të lartë ndërkohë pritet ta marrë në tërësi Bosnjë dhe Hercegovina, me 1 miliard e 85 milionë euro, përfshi një parafinancim prej 76 milionë eurosh. Një shumë e majme kjo për boshnjakët, nëse llogaritet edhe raporti me popullsinë.
Serbia ndërkaq do të marrë shumën e dytë më të madhe, me 1.58 miliardë euro, ku pagesa e parë parashikohet në 111 milionë.
Shumën më të vogël të financimit pritet ta marrë Mali i Zi, duke marrë parasysh edhe numrin më të ulët të popullatës, ku totali pritet të jetë një vlerë prej 383 milionë eurosh, prej të cilave 26.8 milionë parafinancim.
Për çfarë bëhet fjalë?
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i ri që do të mbështesë reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.
Ai do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Këstet e para pritet të disbursohen këtë vjeshtë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për vendet që të forcojnë ekonomitë e tyre dhe që të përmirësojnë përafrimin me politikat evropiane.
Parakushtet për mbështetjen në kuadër të Facilitetit do të jenë që “përfituesit të përmirësojnë, mbështesin dhe respektojnë”, ndër të tjera, mekanizmat efektivë demokratikë.
Këto, duke përfshirë funksionimin e një sistemi parlamentar shumëpartiak, mbrojtjen e mediave të lira, luftën kundër dezinformimit si dhe shtetit të së drejtës.
Parlamenti Evropian shtoi gjithashtu një parakusht për “përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë miratimin e masave kufizuese kundër Rusisë”.
Për të marrë ndonjë mbështetje në kuadër të Facilitetit, çdo përfitues i ka paraqitur Komisionit një Agjendë Reforme për kohëzgjatjen e Instrumentit.
Sipas propozimit të KE-së, Agjendat e Reformës do të pasqyrojnë vlerësimet në Paketën më të fundit të Zgjerimit dhe Planin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Detajet e disbursimit
Pas dorëzimit të Agjendës së Reformës, një përfitues mund të kërkojë lirimin e një parafinancimi deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar nga Faciliteti.
Në vijim, fondet do të disbursohen dy herë në vit, nëse plotësohen kushtet e pagesës.
Ekspertët, megjithatë, nuk janë të sigurt se sa rreptësisht do të vlerësohet përmbushja e këtyre kushteve.
Përpara se të disbursojë ndonjë fond, Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse një përfitues plotëson dy parakushte të përgjithshme.
Për Serbinë dhe Kosovën, ekziston një parakusht shtesë, që të “angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.
Gjithashtu, parakushtet e përgjithshme për disbursimin e mjeteve janë stabiliteti makro-financiar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit./AlbanianPost