Pas shumë pritjeve, më në fund qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të lëvizin paviza në Bashkimin Evropian.
Parlamenti Evropian sot pa votim e ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave.
Për këtë ngjarje me rëndësi për kosovarët, kanë raportuar edhe mediat serbe.
Mediumet kritike ndaj pushtetit të presidentit, Aleksandar Vuçiqi, Danas dhe N1, kanë vendosur në ballinat e tyre votimin në Parlamentin Evropian për vizat.
Titujt e këtyre dy mediave janë të ngjashme: “Banorët e Kosovës që nga viti i ri në BE pa viza”.
Më radikal në raportim është treguar protali serb “KosovoOnline”.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën është “shpërblim” pas 10 vitesh mosrespektim të Marrëveshjes së Brukselit” – kështu mban titullin lajmin për miratimin e vizave për Kosovën në portalin KosovoOnline.
Ata e kanë parë si shërblim duke e ndërlidhur me Marrëveshjen e Brukselit të cilin sipas këtij raportimi, Kosova nuk e ka respektuar.
“Në 10 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe një dekadë pritjeje që Prishtina të përmbushë obligimet e saj dhe të formojë Unionin e Komunave Serbe, nga Brukseli ka mbërritur “shpërblimi” për Kosovën – Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për Qytetarët e Kosovës në seancën plenare.” – thuhet në hyrje të raportimit.
Mediat tjera nuk i kanë dhënë rëndësi këtij lajmi.
Ndërkohë, Vuçiq në një deklarim gjatë vitit 2021 kishte thënë se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Po, me entuziazëm dhe unë nuk do të shpjegojë arsyet.” – pati thënë ai.
Kujtojmë se hapi i ardhshëm pas miratimit në Parlamentin Evropian është ceremonia e nënshkrimit, pastaj publikimi në Gazetën Zyrtare të BE-së, hyrja në fuqi 20 ditë pas publikimit, dhe më në fund, më 1 janar 2024 do të ndodhë lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.