Teksa janë shtuar thirrjet ndërkombëtare për Kosovën që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, në mënyrë që vendi të ec tutje në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në Qeverinë e Kosovës janë bindur se autoritetet komunale, respektivisht Agjencia e Kadastrit në Deçan tani duhet t’ia regjistrojnë 20 hektarë tokë Kishës.
Zyrtarë të qeverisë që janë të ngarkuar me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës janë të gatshëm që të bëjnë thirrje publike për këtë çështje.
Çuarja më tej e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës varet nga hapat që do të bëjë Kosova deri më 22 prill. Pikërisht në këtë afat Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Evropës do ta thotë fjalën e saj për dosjen e Kosovës. Vendimi në Asamblenë e Përgjithshme që është i kushtëzuar me atë se çfarë do të bëjë Kosova me tokën e Manastirit, do të përcaktojë se çfarë do të bëjë Komiteti i Ministrave më çështjen e anëtarësimit të Kosovës.
Gazeta Express ka kontaktuar me Agron Musliajn Drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Deçanit i cili ka thënë se për këto çështje mund të flas vetëm Kryetari i Komunës, që aktualisht është Bashkim Ramosaj.