Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin që kryeministri Albin Kurti pati me emisarin special të BE-së për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak.
Bëhet e ditur se në takim u fol në lidhje me aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
“Në këtë takim u diskutua në lidhje me aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera si psh. respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke, përmes një procesi të dialogut të barabartë, të balancuar e të drejtë për palët”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Në njoftimin e qeverisë nuk u bë e ditur nëse qëndrojnë deklarimet e ndërmjetësit Lajçak se në takim është folur edhe për vendimin e BQK-së për dinarin serb dhe agresionin e Serbisë në 24 shtatorit në Banjskë.
Përveç me Kurtin, Lajçaku u takua edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.